Vendimi i LSDM-së për bojkot të punës në Parlament, reagon faktori ndërkombëtar

Pas vendimit të djeshëm të opozitës së bllokut maqedonas, LSDM, që të mos merr pjesë në punët e Parlamentit derisa Gjykata Kushtetuese nuk deklarohet për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), ka reaguar dhe faktori ndërkombëtar, njofton Portalb.

Komisioni Evropian ka porositur se marrja pjesë në punën e Parlamentit është kyçe për zhvillimin e demokracisë evropiane dhe ka rikujtuar se Marrëveshja e Përzhinos është mënyra më e mirë që vendi të del nga kriza aktuale.

“Parlamentet janë institucionet kyçe në demokracitë evropiane. Mospjesëmarrja në aktivitetet parlamentare i pengon në funksionimet e demokracisë në këto institucionet dhe nuk siguron baraspeshë të fuqisë politike. Komisioni Evropian u bën thirrje liderëve partiak që të sillen me përgjegjësi dhe t’i përforcojnë proceset demokratike në interes të qytetarëve të tyre dhe të ardhmërisë euroatlantike”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, transmeton Portalb.

Ajo shtoi se partitë kanë përgjegjësi që ta çojnë vendin drejt rrugës euroatlantike, ndërkaq siç shton ajo, kriza politike filloi të ketë pasoja negative për vendin dhe të ardhmen evropiane.

“Çdo mos-marrje të masave do të reflektohet negativisht. Rezultatet konkrete dhe reformat rrënjësore në javët në vijim do të jenë kyçe nëse KE do t’i përsërit rekomandimet në raportin e ardhshëm vjetor”, shtoi Kocijançiq.

Kociaançiq, gjithashtu  i ftoi liderët politik dhe institucionet tjera që ta respektojnë dhe të mos përzihen në punën e Prokurorisë Speciale Publike.

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli konsideron se është mië që partitë politike dhe të gjitha institucionet të punojnë në mënjanimin e pengesave pë punë normale të PSP-së, Parlamenti të punojë normalisht dhe të vazhdojë zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinos.

“I nxisim të gjitha partitë politike dhe institucionet të punojnë në mënjanimin e të gjitha pengesave për PSP-­në. Kjo është shumë me rëndësi për vendosjen e përgjegjësisë për përgjimin dhe bisedat të cialt dolën prej tij”, deklaroi ambasadori Bejli.

Në të njëjtën kohë,Bejli shtoi është shumë me rëndësi edhe puna normale në Parlament.

“Siç tha BE-­ja dje, përgjegjësia e partive është ta zbatojnë Marrëveshjen e Përzhinës dhe ta lëvizin Maqedoninë drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO”, potencoi ambasadori amerikan Xhes Bejli.

Për vendimin e LSDM-së, ka komentuar edhe Ambasada e Britanisë së Madhe, e cila vlerëson se Parlamenti është institucioni kryesor në çdo demokraci.

“Shpresojmë se të gjithë deputetët do ta plotësojnë rolin e tyre demokratik, do ta shfrytëzojnë pozicionin dhe ndikimin e tyre për të forcuar sundimin e së drejtës në Maqedoni”, qëndron në reagimin e ambasadës.

Lidhur me kritikat e fundit për punë në PSP, të drejtuara nga presidenti Gjorge Ivanov, nga ambasada përkujtojnë në rëndësinë e PSP-së për dalje nga kriza politika.

“Puna e Prokurorisë Speciale është pjesë kryesore e Marrëveshjes nga Përzhino dhe bazë për zgjidhje të qëndrueshme të krizës politike. PSP-ja është dakorduar nga katër liderë partiakë që e nënshkruan Marrëveshjen e Përzhinos, ndërsa PSP-ja mori mbështetje të plotë në Parlament. Të gjitha palët duhet të vazhdojnë të japin mbështetje të plotë dhe të përmbahen nga veprimet që e varrosin punën e tij”, porositi Ambasada e Britanisë së Madhe.

Përndryshe, vendimi në fjalë i LSDM-së, ka ardhur pas skadimit të ultimatumit të dhënë nga partia në fjalë dhe sektori civil deri te Gjykata Kushtetuese, që deri më 18 qershor të deklarohet për kushtetutshmërinë e Parlamentit. Pas kësaj, u mbajt protestë, ndërkaq sektori civil ka bërë thirrje që deputetët të mos marrin pjesë në punën e Parlamentit derisa në plotësohen kërkesat, njofton Portalb.

Lexo në lidhje me temën:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button