Jankulloska: Plotësisht jam e qetë, hetimet e PSP-së janë të porositura nga LSDM

“Plotësisht jam e qetë sepse nuk kam bërë asnjëfarë vepër penale dhe gjatë periudhës së plotë përderisa isha në funksion të ministres së Punëve të Brendshme, kam punuar profesionalisht”, deklaroi ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankulloska, pas marrjes në pyetje në procedurë paraprake, njofton Portalb.

Marrja në pyetje e Jankulloskës, e cila është e dyshuara e tretë në rastin “Fortesa”, që e ka hapur Prokuroria Speciale në lidhje me shkatërrimin dhe asgjësimin e dy sistemeve me të cilën është kryer përgjimi, ka zgjatuar thuajse tre orë.

Ish ministrja, në deklaratën për mediat pas dëgjimit, disa herë ka përsëritur se Prokuroria Speciale po bën përballje politike në emër të LSDM-së dhe opozitës, nëpërmjet rasteve të projektuara kundër personave të cilët i vlerësojnë për kundërshtarë politik dhe se heton vetëm lëndë që kanë lidhje me një parti, gjegjësisht VMRO – DPMNE-në.

Ajo gjithashtu foli edhe për kërkesën e Prokurorisë Speciale për përjashtimin e gjykatëses Aleksandra Pop – Stefanija, të cilën gjithashtu e konsideron si hap të motivuar politik, transmeton Portalb.

“Prokuroria Speciale, në seancën e sotme edhe njëherë e konfirmoi se PSP funksionon si dorë e zgjatur e opozitës. Praktikisht, vetë fakti që gjatë marrjes në pyetje, PSP kërkon përjashtim të gjykatëses tregon që është hap i motivuar politik”, shtoi Jankulloska.

Prokuroria Speciale kërkon përjashtimin e Pop – Stefanijas, Gjykata ka tre ditë të vendosë

Për përjashtimin e gjykatëses, Pop – Stefanija, sot njoftoi edhe Gjykata Themelore e cila e ka ndaluar dëgjimin e të dyshuarve të rastit “Fortesa”, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për përjashtimin e saj nga lënda.

Kërkesën për përjashtim, bashkë me lëndën, Pop – Stefanija duhet që t’i dorëzojë deri te kryetari i Gjykatës i cili ka afat prej tre ditësh që të vendosë se a duhet ta heqë gjykatësen nga lënda ose, ta hedhë poshtë kërkesën, Përcjellë Portalb.

“Gjykatësja në procedurë paraprak, pasi që do t’i kompletojë të gjitha dokumentet e lëndës, bashkë me kërkesën do t’i dorëzojë deri te kryetari i Gjykatës, i cili në afat prej tre ditëve duhet të vendos në lidhje me kërkesën për përjashtim të gjykatëses”, qëndron në kumtesën e Gjykatës.

Kërkesës për përjashtim të gjykatëses vjen pasi që ajo nuk i ka pranuar kërkesat për paraburgim dhe për masat e kujdesit të PSP-së kundër ish kryeshefit të Drejtorisë së Pestë të DSK-së, Goran Grujovski, ish ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska dhe tre të dyshuarve të tjerë në rastin “Fortesa”.

Nga PSP atëherë deklaruan se bëhet fjalë për vendime absurde dhe konstatime të palogjikshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button