Kuvendi i Shqipërisë miraton protokollin e aderimit të Malit të Zi në NATO

Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancës së sotme parlamentare ka miratuar projektligjin “Për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi”, raporton Anadolu Agency (AA).

Me 109 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi ka ratifikuar në këtë mënyrë protokollin e aderimit të këtij shteti në NATO.

Pas votimit, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse në seancë kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Darko Pajoviç, e cili e ka nisur me falënderimet për Shqipërinë për miratimin e protokollit aderues, ku i hapet rruga përshpejtimit të anëtarësimit të këtij shteti në Aleancë.

“Është kënaqësi e madhe të ju drejtohem në këtë tempull të demokracisë. Anëtarësimi në NATO është një hap historik për Malin e Zi. Gjithashtu anëtarësimi siguron një të ardhme në drejtim të mirë. Jam i sigurtë se edhe Shqipëria do të hapë negociatat me BE-në dhe me këtë do të fitojë një vazhdimësi reformash që i ka filluar. Mali i Zi është i gatshëm të ndajë përvojën e negociatave me BE-në. Një rol të veçantë në marrëdhëniet tona kanë popujt minoritarë. Shqiptarët kanë dhënë një kontribut të madh për pavarësinë e Malit të Zi”, u shpreh kryeparlamentari malazez, në fjalën e tij përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë.

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s nënshkruan më 19 maj 2016 protokollin anëtarësimit në NATO të Malit të Zi, ndërsa ky protokoll duhet të miratohet nga parlamentet e 28 vendeve anëtare të Aleancës,

Para votimit, Pajoviç realizoi një takim me kryeparlamentarin e Shqipërisë, Ilir Meta, ku mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për mediat. Gjithashtu gjatë vizitës së tij në Tiranë, kreu i Parlamentit të Malit të Zi është takuar edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani.

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë bëhet e ditur se Nishani gjatë takimit theksoi se Shqipëria vazhdon të ndjekë një politikë të jashtme të konsoliduar në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të hapurme të gjitha vendet e rajonit.

“Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu rolin e pakicës shqiptare në Mal të Zi që shërben si urë miqësie dhe përbën element stabiliteti dhe kohezioni të brendshëm, duke u renditur gjithmonë në krah të forcave zhvilluese e përparuese, dhe që vazhdon të japë një kontribut të qenësishëm në shtet-ndërtimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Malit të Zi. Në këtë kontekst Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria mbetet e vëmendshme ndaj plotësimit të kërkesave legjitime të komunitetit shqiptar në Mal të Zi, dhe veçanërisht ndaj zbatimit të angazhimeve ligjore që ndërmerren në këtë kuadër”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button