Ministri i Arsimit, Lutfiu u takua me homologun e tij nga Kosova, Bajrami

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, sot qëndroi për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Në Prishtinë ministri Lutfiu është pritur nga ministri i Arsimit,  Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami.

Në këtë takim dy ministrat biseduan për bashkëpunimin në sferën e arsimit dhe shkencës në mes dy vendeve, përkatësisht jetësimi i marrëveshjes së nënshkruar kohë më parë.

Pas takimit, ministri Lutfiu u shpreh se me homologun kosovar Bajrami kanë biseduar për realizimin e projekteve të përbashkëta, formimi i grupeve të përbashkëta të punës për zbatimin e programit ekzekutiv si dhe për bashkëpunimin universitar.

“Biseduam për bashkëpunimin në sferën e arsimit dhe shkencës, përkatësisht jetësimin e  dy marrëveshjeve të nënshkruara në Vlorë dhe në Manastir, që parasheh realizimin e projekteve të përbashkëta, bashkëpunimin universitar, shkëmbimin e studentëve dhe bashkëpunimin në sfera tjera. Gjithashtu, e njoftova ministrin Bajrami për hapat që janë ndërmarr për funksionimin e Universitetit Nëna Terezë në Shkup ku njëkohësisht kërkova edhe mbështetjen e institucioneve kosovare sepse përvoja e tyre në shkencat teknike është më e madhe”, tha ministri Lutfiu në takimin e përbashkët me gazetarë me ministrin kosovar Bajrami.

Dy ministrat në takim u dakorduan që së shpejti të shpallet edhe thirrja e parë për projekte të përbashkëta në fushën e shkencës dhe inovacionit si dhe krijimi i mundësive për aplikim të përbashkët në projekte ndërkombëtare, si Horizont 2020, Erasmus plus dhe programe tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button