Maqedoni, partitë ‘dembele’ për zgjidhje të krizës politike

Loja me datat e zgjedhjeve ka filluar qysh para Marrëveshjes së Përzhinos. Tanimë dy data kanë dështuar, ajo e 24 prillit dhe ajo e 5 qershorit. Ndërkombëtarët kërkojnë krijimin e kushteve për zgjedhje- pa caktuar ndonjë kohë. Ndërkaq, partitë në pamundësi për të dhënë kontribut në krijimin e kushteve përmendin afate kohore se kur mund të mbahen të njëjtat.

Kreu i BDI-së në një deklaratë të fundit tha se partitë kanë marrëveshje që në dhjetor partitë të dakordohen për atë se kur do të ketë zgjedhje. “Këtë vit është e pamundur të ketë zgjedhje, sepse që të ketë zgjedhje në vjeshtë, deri më 1 korrik duhet të kemi qeveri për organizimin e tyre e kjo është e pamundur të ndodh”, tha ai.

Nga ana tjetër zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov në një deklaratë potencoi se nëse ka vullnet zgjedhje mund të ketë edhe në vjeshtë, të këtij viti. “LSDM-ja vlerëson se dialogu politik si mënyrë për dalje nga kjo krizë është i domosdoshëm që të mundemi që në vjeshtë të organizojmë zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike”, tha Shilegov.

Dje dështoi edhe një tentim i partive politike me faktorin ndërkombëtarë, në krijimin e kushteve për zgjedhje fer dhe demokratike.

Kush po u ikë zgjedhjeve?

“Gjithmonë kur vijmë deri te dy temat e dhimbshme të VMRO-DPMNE-së, e që janë: pastrimi i Listës zgjedhore, respektivisht 33 mijë regjistra kontestuese dhe rregullimi i sferës mediatike, bisedimet ndërpriten. VMRO-DPMNE ikë nga zgjedhjet fer dhe demokratike. Ata duan të kenë zgjedhje si duan vetë. LSDM këtë nuk do ta lejojë. Republika e Maqedonisë duhet të mbaje zgjedhje fer dhe demokratike”, theksoi zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov, pas bisedimeve të djeshme në Përzhino.

Nga ana tjetër VMRO-DPMNE fajin e adreson te LSDM. Sipas tyre, LSDM po i kundërshton parimet themelore të gazetarisë, sa u përket reformave në media- që është ndër temat kryesore në bisedimet e katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos; PDSH, VMRO-DPMNE, LSDM dhe VMRO-DPMNE.

Kur përmbushen kushtet për zgjedhje fer dhe demokratike në Maqedoni?

Politologu Selim Ibraimi në deklaratën e tij dhënë Portalb-it thotë se duket absurde se pse qeveria aktuale nuk arrinë t’i përmbushë kërkesat që dalin nga Marrëveshja e Përzhinës dhe faktikisht lind nevoja për një model tjetër i qeverisë, i cila do të dilte me një program të pajtimit dhe reformues.

“Të dhënat e anketave të fundit treguan se asnjëra nga partitë politike nuk mund të fitojë mazhorancën në parlament dhe kjo domosdoshmërisht vë në pikëpyetje shkuarjen në zgjedhje nga partitë politike në pushtet. Në njërën anë kemi taktizimet e liderëve të cilët në kushtet aktuale nuk dëshirojnë proces zgjedhor të dyshimtë dhe grupi tjetër i përbërë nga partitë politike opozitare shqiptare që asesi nuk arrijnë të formojnë një bllok antiqeveritarë. Protestat në Shkup dhe revolucioni i nisur nga opozita maqedonase është i pastrukturuar dhe kjo i lë hapësirë veprimit të partive në pushtet. Me këtë dualitet qeveritar vështirë se mund të përgatitet vendi për zgjedhje të drejta dhe kjo u vërtetua nga zhvillimet e fundit. Largimi i figurave kryesore nga politika, procesimi i drejtë i të gjitha rasteve gjyqësore, luftimi i korrupsionit, rikthimi i së drejtës dhe hapja e dialogut politik ndëretnik shihen si bazë e mirë për Maqedoninë. Komuniteti ndërkombëtar përvec lehëtsimit të dialogut nuk ka tjetër cfarë të ofrojë. Sanksionet e përfolura ekonomike janë një paradoks. Ligji antikorrupsion dhe gjykata të pavarura qoftë edhe ndërkombëtare mund ti vënë proceset në rrugë të drejtë”, deklaroi për Portalb Ibraimi.

Sipas tij, opcione shtesë mund të dalin pas takimeve të fundit dhe nga këtu mund të presim rezultate konkrete nëse zgjedhjet do të mbahen në vjeshtë apo gjatë 2017.

Politologu Muhamed Jashari vlerëson se koha më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme është viti i ardhshëm.

“Faktori ndërkombtarë gjetjen e zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni e sheh brenda. Ata duan që akterët politikë, pra partitë politike në qeveri dhe ata opozitare të gjejnë një solucion. Bashkësia ndërkombëtare përmes diplomatit gjerman vetëm se është mbështetëse dhe ndihmues në këtë aspekt. Skicën e zgjidhjes së krizës aktorët politikë në vend e kanë të njohur, të bëjnë pastrimin e listës zgjedhore në mënyrë të mirëfilltë të pranuar nga gjitha palët dhe zgjedhjet të jenë fer dhe demokratike. Kam përshtypjen se partitë politike shqiptare luajnë rolin e një shikuesi ose monitoruesi në këtë krizë. Ata nuk kanë aritur që të ofrojnë ndonjë formulë, ose të imponojnë vullnetin e tyre për dalje nga kriza. Konsideroj se koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve do ishte viti i ardhshëm”, tha për Portalb Jashari. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button