Zyrtarët rusë arsyetojnë dhunën e tifozëve!

Kur policia franceze ndaloi autobusin që bartte tifozë rusë të futbollit në qytetin Lille, për ndeshjen e radhës të Rusisë në kuadër të Euro 2016-ës, shefi i Unionit të Mbështetësve Rusë, Aleksandr Shprygin, nxori veten në qendër të vëmendjes. Duke shkruar në Twitter, direkt nga vendi i ngjarjes, ai tha se tifozët rusë janë viktima të pafajshme të policisë. Tha po ashtu se pasagjerëve të tij u është mohuar uji dhe tualeti, shkruan REL.

Zyrtarët francezë, në anën tjetër, vendosën dhjetëra tifozë rusë në paraburgim, për shkak të përfshirjes së dyshuar në dhunën e javës së kaluar në Marsejë. Dhuna midis tifozëve rusë dhe anglezë atje ka përfunduar me dhjetëra të plagosur.

Shprygin tha se 29 tifozë rusë janë dëbuar nga Franca, ndërsa UEFA gjobiti Federatën e Futbollit të Rusisë me 150,000 euro dhe e paralajmëroi se mund të skualifikohet nga Euro 2016, në rast të dhunës së mëtejshme.

Kremlini po bën përpjekje të shmangë këtë rezultat. Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, u bëri thirrje tifozëve rusë në Francë që “të ndjekin ligjin” dhe “të mos reagojnë ndaj provokimeve”.

Deklarata e tillë mund të ketë dobësuar mesazhin luftarak dërguar nga Rusia më 13 qershor, kur një nënkryetar i Dhomës së Ulët të Parlamentit u bëri thirrje huliganëve që të vazhdojnë me të tyren, ndërsa një zyrtar i lartë i sundimit të ligjit tha se policia franceze ka shpenzuar shumë kohë duke u marrë me “paradat e homoseksualëve” dhe se nuk e di se si të reagojë ndaj “burrave normalë” rusë.

Një fotografi që po qarkullon vazhdimisht në rrjetet sociale, tregon shefin e Unionit të Mbështetësve Rusë, Aleksandr Shprygin, duke ngritur dorën në stilin e përshëndetjes naziste, së bashku me një grua gjysmë të zhveshur. Shprygin tha se fotografia daton nga viti 2001 dhe se ka qenë i dehur.

Shprygin, tifoz veteran i ekiptit Dinamo Moska, ngjalli po ashtu polemika vitin e kaluar duke thënë publikisht se do të donte që lojtarët në ekipin kombëtar të Rusisë të kenë vetëm “fytyra sllave”.

“Është e turpshme që një ish-huligan dhe neo-nazist bën organizimin zyrtar të tifozëve rusë”, tha Pavel Klymenko, zyrtar i rrjetit “Fare”, një shoqatë e Evropës Lindore që merret me politika kundër racizimit.

Unioni i Mbështetësve Rusë ka rol të rëndësishëm në organizimin e tifozëve rusë për Euro 2016. Ai ka organizuar një aeroplan që dërgon tifozët në Francë, për të ndjekur turneun.

Shprygin është i afërt me Partinë ultra-nacionaliste Liberal-Demokrate të Rusisë dhe është ndihmës i Igor Lebedevit, nënkryetar i Dumës Shtetërore.

Lebedev, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Rusisë, ka shkruar në Twitter më 13 qershor se “nuk sheh asgjë të tmerrshme në luftën midis tifozëve”.“Përkundrazi, djemtë tanë janë të shkëlqyer”, ka shkruar ai.

Lebedev ka kritikuar po ashtu Francën, duke thënë se autoritetet e saj nuk kanë fuqi të organizojnë ngjarje të mëdha siç është Kampionati Evropian i Futbollit.

Shprygin, ndërkohë, akuzoi zyrtarët francezë se e kanë prishur turneun Euro 2016 dhe se kanë arrestuar tifozë të gabuar. “Policia ka fjetur më 11 qershor në Marsejë. Tani arreston të pafajshëm dhe nuk do të arrijë kurrë në jetën e saj të gjejë fajtorët”, tha Shprygin. (REL)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button