Dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja do të jetë graduale

Në referendumin që do të mbahet javën e ardhshme në Britani edhe nëse rezultatet tregojnë një vendim për daljen nga Bashkimi Evropian, marrëveshjet ekzistuese nuk do të përfundohen menjëherë. Komisioni Evropian mban një pozicion për qëndrimin e Britanisë por gjithashtu po vlerëson edhe skenarin e mundshëm Brexit, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE) Mina Alexandrova Andreeva e cila i është përgjigjur pyetjeve të gazetarit të AA-së tha se “KE-ja nuk ka plan B. Kreu i Komisionit Jean-Claude Juncker, shumë herë e ka shprehur se preferenca e tij është që Britania e Madhe të qëndrojë brenda BE-së në kuadër të një marrëveshjeje të drejtë”.

Duke tërhequr vëmendjen se marrëveshjet ekzistuese nuk do të përfundohen menjëherë në rast të daljes së Britanisë nga BE-ja, Andreeva, ka vlerësuar se “Ne nuk duam të komentojmë mbi pasojat e mundshme të Brexit. Por deri në përfundimin e negociatave të daljes në kuadër të nenit 50 në marrëveshjen e BE-së, Britania do të vazhdojë të qëndrojë si anëtare e BE-së si dhe vazhdon të zbatojë të gjithë rregullat dhe ligjet ekzistuese”.

Ndërsa zëdhënësja Andreeva nuk ka konfirmuar pohimet se zyrtarët e BE-së janë mbledhur në kuadër të KE-së dhe se kanë diskutuar “planin e situatës emergjente” në rast të daljes së Britanisë nga BE-ja.

Zëvendësdrejtori i Departamentit të Kërkimeve Ekonomike në Open Europe, Raoul Ruparel ka theksuar se në rast të një vendimi për dalje marrëveshjet do të diskutohen në nene dhe dalja do të realizohet gradualisht.

Ruparel tha se nenet që do të bisedohen në negociatat e ndarjes janë të detyrueshme të pranohen nga Britania. “Nenet e marrëveshjes së BE-së aktivizohen me arritjen e marrëveshjes së daljes. Brenda afatit dy vjeçar të parashikuar ligjet e BE-së vazhdojnë vlefshmërinë për Britaninë. Edhe nëse nga votimet del rezultati për ndarjen e Britanisë vazhdohet mënyra nomale e tregtisë me BE-në. Por BE-ja nuk do të mund të marrë pjesë në vendimet e brendshme ose në bisedimet në lidhje me kushtet e saj të daljes”, tha Ruparel.

– Ndarja e Grenlandës zgjati tre vjet

Për arsyen se më parë nuk ka patur një vend anëtar të larguar nga BE-ja, për Britaninë nuk paraqitet një shembull për mundësinë e daljes. Por neni 50 në marrëveshjen e BE-së sjell qartësi se si duhet të funksionojë procesi i negociatave dhe për kushtet e ndarjes nga anëtarësimi.

Me dhënien e vendimit për daljen e vendit fillojnë negociatat gjithëpërshirëse mes këtij vendi dhe vendeve anëtare të BE-së, ku fillimisht vendet anëtare që mbesin  diskutojnë në formë nenesh të gjitha marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe politike me vendin që ndahet.

Ndërsa më pas “marrëveshja e daljes” e arritur si rezultat i negociatave hyn në fuqi pasi të miratohet në Parlamentin Evropian.

Grenlanda, për shkak se ndodhet nën drejtimin e Danimarkës në vitin 1973 ajo u anëtarësua indirekt në Komunitetin Ekonomik Evropian. Por pasi Grenlanda shpalli autonominë e saj nga Danimarka në vitin 1979, ajo u shqetësua nga rregulloret e BE-së kryesisht në fushat e detarisë dhe të peshkimit.

Vendi me një popullsi prej 55 mijë banorësh kreu kërkesën për daljen nga Unioni në kuadër të nenit 50. Procesi i ndarjes së Grenlandës nga Komuniteti Ekonomik Evropian zgjati afërsisht 3 vite ndërsa nga anëtarësimi 12 vite.

– A është e mundur një marrëveshje e tregtisë në modelin e Kanadasë?

Një prej argumenteve të atyre që zhvillojnë fushatë për daljen e Britanisë nga BE-ja është se Britania mund të vazhdojë marrëdhëniet duke arritur me BE-në një marrëveshje të tregtisë të ngjashme me atë të Kanadasë.

Ndërsa në anën tjetër vihet në dukje se tregtia në total e Kanadasë me BE-në në krahasim me atë të Britanisë është në përmasa shumë më të vogla, ku sipas të dhënave të vitit 2014 Kanadaja është e 12-ta nga partnerët më të rëndësishëm të BE-së.

Ndërsa Britania në vitin 2014 realizonte 44.6 përqind të eksporteve në vendet e BE-së dhe 53 përqind të importeve nga vendet e BE-së.

Sipas kërkimeve të Konfederatës së Industrisë Britanike (CBI), anëtarësimi i Britanisë në BE i ofron asaj hyrjen e drejtëpërdrejtë në një treg prej 16.6 trilionë dollarë dhe e cila ka një popullsi prej afërsisht 500 milionë. Për këtë arsye përfitimet ekonomike të Britanisë nga anëtarësimi në BE parashikohet se arrijnë në një vlerë mesatarisht 62 deri në 78 miliardë sterlina.

Negociatat e marrëveshjes së tregtisë mes Kanadsaë dhe BE-së u zhvilluan afërsisht për 7 vite dhe përfunduan në dhjetor të vitit 2014. Sipas kësaj, marrëveshja ende nuk ka hyrë në fuqi duke u miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button