Bushati-Steinmeier: Reforma në drejtësi të përmbyllet sa më shpejt

Ministri i Jashtëm i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, gjatë konferencës për mediat me homologun shqiptar, Ditmir Bushati, i ka kushtuar vëmendje procesit të reformës në drejtësi në Shqipëri, duke theksuar se ai shpreson që kjo reformë do të përmbyllet sa më shpejt, raporton Anadolu Agency (AA).

Steinmeier është takuar me homologun shqiptar, Ditmir Bushati, ndërsa në përfundim të takimit të dy ministrat kanë mbajtur një konferencë te përbashkët për shtyp.

Edhe kryediplomati shqiptar është ndalur tek procesi i reformës në drejtësi, ku ka theksuar se kjo reformë synon ta kthejë sistemin në lartësinë e kërkesave të shqiptarëve. “Kjo reformë do të kontribuojë edhe në ekonominë e vendit, në luftën kundër korrupsioni, luftën kundër radikalizmit. Është e rëndësishme cilësia e kësaj reforme. Shqipëria mbete një partner për Gjermaninë dhe aleatët e tjerë në luftën kundër terrorizmit”, u shpreh Bushati.

Steinmeier ka pohuar ndër të tjera së në Gjermani ndjekin më vëmendje zhvillimet në Shqipëri. “Unë kam ardhur këtu për tema serioze, siç është reforma në drejtësi. Shqipëria është partner i rëndësishëm për ne dhe një vend i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi nisur Procesin e Berlinit për të formësuar bashkëpunimin në rajon në disa fusha, si në ekonomi, kulturë, sport, etj. Nisur nga zhvillimet Shqipëria ka shënuar një progres të rëndësishëm sa i përket bashkëpunimit rajonal. Konferenca e Berlinit u krijua si iniciativë edhe nga partnerët rajonal dhe ne e vijojmë këtë proces. Një element i rëndësishëm i procesit të Berlinit ka qenë që kemi rënë dakord jo vetëm të rrisim nivelin shkëmbimeve, por edhe të afrojmë të rinjtë. Ne e kemi ndjekur me vëmendje procesin e zhvillimeve ne Shqipëri dhe e respektojmë këtë. Në vend janë ndërmarrja reforma të rëndësishme që janë të dukshme”, u shpreh shefi i diplomacisë gjermane.

Sipas tij reforma në drejtësi është në fokus të opinionit publik. “Unë shpresoj se ajo që gjendet në tryezë është një projekt që do të kujdeset për me tepër pavarësi në sistemin e drejtësisë dhe do të krijojë më tepër premisa për luftën ndaj korrupsionit dhe unë shpresoj që reforma në drejtësi do të përmbyllet sa më shpejt. Kemi nevojë për një Shqipëri demokratike dhe më një sistem drejtësie të pavarur”, ka shtuar më tej Steinmeier.

Ndërkohë ai gjatë ditës së sotme do të takohet edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button