Jolevski: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në NATO kontribuon për stabilitetin e rajonit

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Zoran Jolevski, në kuadër të vizitës në Paris ka zhvilluar një takim pune me ministrin francez të Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, bashkëpunimi bilateral mes dy vendeve në sferën e mbrojtjes është cilësuar si i shkëlqyer, dhe se gjatë disa viteve të fundit ka rritje. Në takimin u shkëmbyen mendime për gjendjen e sigurisë në Evropë dhe botë.

Pjesa më e madhe e takimit i është kushtuar samitit të NATO-s, i cili është planifikuar që të mbahet muajin e ardhshëm në Varshavë. Ministri Jolevski, siç thuhet në njoftim, theksoi se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO kontribuon në përforcimin e stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit. Ai thekson se integrimet euroatlantike janë prioritet për Republikën e Maqedonisë.

“Ministria e Mbrojtjes vazhdon me reformat në ushtri, meqë me to kontribuohet për përforcimin e mëtejshëm të armatës, si garanci për integritetin territorial dhe sovranitetin e Maqedonisë, por paralelisht edhe për përmbushjen e kritereve për anëtarësim në NATO. Republika e Maqedonisë do të vazhdojë me pjesëmarrjen në misionet e NATO-s ‘Mbështetja vendimtare’ në Afganistan”, theksoi Jolevski.

Gjatë takimit u prezantuan argumentet pse Republika e Maqedonisë duhet të marrë ftesë për anëtarësim në NATO, sa më shpejtë që është e mundur. Siç thuhet më tej në njoftim, ministri theksoi se pret që Greqia t’i respektojë detyrimet e saj nga Marrëveshja e përkohshme e vitit 1995 e nënshkruar në selinë e Kombeve të Bashkuara dhe të mundësojë që Republika e Maqedonisë të marrë ftesë për anëtarësim në Aleancë.

Ministri Jolevski përshëndeti ftesën për anëtarësim për Malin e Zi në NATO, ndërsa kërkoi edhe avancim në proceset integruese për Bosnjë e Hercegovinën.

Gjatë ditës së sotme ministri Jolevski do të vizitojë Panairin për industri të mbrojtjes që mbahet në Paris. Më pas do të udhëtojë për Poloni ku do të jetë i pranishëm në stërvitjen më të madhe ushtarake “Anakonda 2016” që mbahet në kontinentin evropian këtë vit. ARM merr pjesë me 154 ushtarë dhe oficerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button