Ministri Bushati dhe Shqipëria që “shpëlahet” nga Deti Adriatik

“Shqipëria është një vend në Europën juglindore, në Perëndim të Gadishullit Ballkanik, mes koordinatave gjeografike: 38 16′ gjerësi dhe 42 39′ gjatësi.”

Kështu fillon përshkrimi i Shqipërisë në faqet e ambasadave tona në botë (ngatërresa në koordinatat e Shqipërisë është në origjinal). Ai vazhdon me vëzhgimin e “mprehtë” se “Shqipëria është pothuajse në mes midis Ekuatorit dhe Polit të Veriut”, pastaj me të dhëna mbi gjatësinë e vijës sonë bregdetare, gjatësinë e lumenjve, relievin dhe çdo të dhënë të mundshme gjeografike, pastaj me të dhëna klimaterike. (Shihni këtu faqen e ambasadës sonë në Washington, për ilustrim.)

Është, pak a shumë, informacion i nivelit të një klase gjeografie të shkollës fillore, i kombinuar me informacione elementare historike.

Vende-vende, teksti në anglisht ka gabime në gramatikë dhe në fjalor, si për shembull kur shprehet se Shqipëria “lahet” (ose “shplahet”) nga Deti Adriatik—keqpërkthim i shprehjes në shqip “laget nga Deti Adriatik”. Në përgjithësi, anglishtja e përdorur në shumicën e materialeve të publikuara është përkthim joprofesional dhe, gati, fjalë për fjalë i tekstit shqip, që në anglisht tingëllon çuditshëm.

Ajo që i bën më qesharake faqet është se i njejti tekst gjendet fjalë për fjalë (përfshi, të njejtat gabime ortografike dhe faktike) në qindra faqe të tjera në rrjet, shumica faqe agjencish shqiptare udhëtimi, restorantesh apo resortesh.

Ne u munduam ta gjurmojmë origjinën e tekstit. Përdorimi më i herët i tij, që mundëm të gjejmë, është në faqen e një agjencie turistike shqiptare, e cila nuk vepron më, hartuar dikur rreth vitit 2001. Kjo agjenci, me sa duket, ka hartuar (apo kopjuar nga diku tjetër) një përzierje të informacionit mbi Shqipërisë në variantin e vjetër të botimit CIA World Factbook me tekste patriotike-romantike shqiptare nga burime të ndryshme në rrjet.

Faqet e ambasadave tona janë, pa asnjë dyshim, ndër burimet kryesore të informacioni për të huajt, veçanërisht për ata që duan të marrin informacion të parë për Shqipërinë. Fatkeqësisht, informacioni që ato ofrojnë është dëshpërimisht mediokër dhe, në vend të na promovojë, na tregon, të paktën gjykuar nga amatorizmi i Ministrisë të Jashtme, si vend të pazhvilluar dhe mbrapa bote.

Informacioni që ambasadat tona japin për Shqipërinë është më së shumti dytësor, ndonjëherë qesharak e ndonjëherë i pasaktë. Për shembull, perveç koordinatave të gabuara të vendit, në shumicën e faqeve popullsia e Shqipërisë jepet 3,6 milion banorë (sa ishte vlerësuar dikur se duhet të ishte para se të bëhej regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë më 2011). Ndërkohë, shumë prej lidhjeve në faqe nuk kanë asnjë përmbajtje dhe të çojnë në faqe të bardhë nëse hyn në to.
Në mënyrë, ironike në asnjë faqe ambasade nuk flitet për bukuritë natyrore të vendit, për lehtësinë me të cilën mund të udhëtohet në Shqipëri, për mikpritjen, për kulturën, etj., të cilat mund të ishin vërtet informacione interesante për një të huaj.

Edhe informacionet për mundësitë e investimit në Shqipëri janë një amalgamë fjalish pa shumë lidhje logjike—më së shumti arnime citimesh dokumentesh burokratike dhe referenca ligjesh e vendimesh të padeshifrueshme për një të huaj.

Në fakt, faqet janë paçavure në përmbajtje, në organizim, në stil, madje edhe në aspektin estetik, për të cilin Kryeministri deklaroi, para ca ditësh për një gazetë zvicerane, se kishte marrë përsipër të na emanciponte meqë jemi popull “i mangët estetikisht”.

Në këto kushte, ishte habi e madhe të mësoje përmes bombardimit të propagandës zyrtare se personi kryesor përgjegjës për këto paçavure, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati lëshoi me krenari nismën “Colors of Albania”, madje për të dytin vit rradhazi, e cila synon promovimin e Shqipërisë përmes fotografive.

Me pompozitet të madh, në një ceremoni mondane, në prani të personazheve të zakonshëm mondanë të kryeqytetit, Ministri Bushati dhe Kryeministri Rama u bënë thirrje shqiptarëve të fotografojnë vendin tonë të mrekullueshëm dhe t’i postojnë fotografitë në rrjet.

Ata premtuan se me fotot më të mira do të bëjnë një botim i veçantë për të promovuar Shqipërinë dhe do të organizojnë një ekspozitë fotografike, e cila do të shëtisë nëpër botë për të dëshmuar para saj sa e mrekullueshme është Shqipëria.

Është e gjitha një hipokrizi, për të fshehur paaftësinë për të qeverisur. Është e gjitha tregues i vizionit primitiv të Kryeministrit Rama i cili po e shkëput përditë qeverinë nga misioni dhe thelbi i saj i vërtetë, për ta shndërruar në një agjenci organizimi spektaklesh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button