Gjykata Kushtetuese mes Kushtetutës dhe VMRO-DPMNE-së, Fati i PSP-së i paparashikueshëm
Jemi në pritje të fillimit të procedurës për vërtetimin e kushtetutshmërisë së Prokurorisë Speciale Publike dhe pritet që dita ditës e njëjta të vendoset në rend dite të Gjykatës Kushtetuese. Zgjatja e procedurës është pengesa e radhës e funksionimit të Prokurorisë Speciale Publike, ndërsa vetë iniciativa për një procedurë të tillë është përpjekje për ta shuar tërësisht këtë institucion, komentojnë ekspertët për Portalb dhe Nova TV. Ndërkohë sipas tyre, sikur Gjykata Kushtetuese të mbështetej në Kushtetutën do ta shpallte kushtetuese PSP-në, por është në duar të VMRO-DPMNE-së ashtuqë nuk mund të parashikohet kur dhe çfarë vendimi do të marrë.
Tekstin në gjuhën maqedonase mund ta lexoni KËTU.
Ngritja e procedurës- goditje ndaj Marrëveshjes së Przhinos
“Ngritja e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit mbi Prokurorinë Speciale paraqet tentativën dhe goditjen e fundit që dëshirohej t’i jepej Marrëveshjes së Përzhinos dhe kthimit të situatës politike në pikën zero. Krejt kjo me qëllim të ruajtjes së pushtetit aktual dhe mos–ndjekjes së kryerësve të dyshuar për vepra penale dhe abuzim të rënde me funksionet publike.”-deklaroi Mersim Maksuti për Portalb, “Zvarritja e procedurës ka qenë dhe është krejtesisht me motive politike, duke pritur momentin më të përshtatshëm politik për ta anuluar Prokurorinë Speciale në këtë vend.”
E pyetur nëse shtyrja e procedurës ishte pengesa e radhës e punës së Prokurorisë Speciale Publike, Mirjana Najçevska tha “Në masë të madhe e vështirëson veprimtarinë dhe punën e Prokurorisë Speciale Publike. Në shikim të parë nuk paraqet ndonjë pengesë faktike, por numër i madh i organeve shtetërore, gjykata, prokuroritë e rregullta publike nuk veprojnë siç duhet duke e pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.”
“Gjykata kushtetuese duhet të luaj rolin e saj kushtetues që sa më shpejtë ta procesoj lëndën dhe të merr vendim me të cilin do ta shpallë plotësisht ekzistimin e këtij institusion legal dhe në harmoni me Kushtetutën e Maqedonisë. Me këtë do t’i kontribuoj zgjidhjes së krizës politike dhe kthimit të besimit në funksionimin e shtetit juridik edhe ashtu të humbur krejtësisht tashmë.”-theksoi Maksuti.
Argumentet pro kushtetutshmërisë së PSP-së
“Kushtetutshmëria e Ligjit mbi Prokurorinë Speciale Publike bazohet në dimensione juridike dhe politike të ngurta dhe të padiskutueshme dhe për këtë shkak ky institucion është vlerë thelbësore për rendin kushtetues dhe faktor që ka për detyrë të identifikojë krimin”, decid është Svetomir Shkariç.
Ai vë në dukje se autorët e Marrëveshjes së Przhinos kanë mbajtur llogari për kushtetutshmërinë e kësaj prokurorie, duke theksuar se kjo shihet edhe nga ligji që e miratoi Parlamenti me konsensusin e të gjitha partive. Shkariç tha se gëzon fakti, por edhe sepse është e rrallë dukuria që pas PSP-së qëndrojnë dy parti nga blloku maqedonas dhe dy parti nga blloku shqiptar, që do të thotë se ka edhe konsensus ndër-etnik.
“Dimensioni i dytë politik i Ligjit mbi PSP-në është fakti se ligji u miratua me 111 vota në Parlamentin e RM-së. Kjo është një shumicë më e madhe e votave se sa shumica me të cilën janë sjellur Kushtetuta e RM-së si një tekst integral nga viti 1991 dhe të gjitha amandamentet kushtetuese që janë sjellur në periudhën nga viti 1992 deri në vitin 2011. Sipas kësaj, PSP është shprehje e sovranitetit të qytetarëve të shprehur përmes përfaqësuesve, përmes deputetëve si përfaqësues të tyre në Parlamentin e RM-së “, tha Shkariç.
Argumenti ligjor për kushtetutshmërinë e Ligjit mbi PSP-në është se prokurorja speciale dhe ekipi i saj janë zgjedhur nga Këshilli i prokurorëve publik, tha Shkariç, duke shtuar se ky organ i zgjedh edhe dyqind prokurorët tjerë të Prokurorisë shtetërore. Gjithashtu, argument i madh ligjor në favor të kushtetutshmërisë së PSP-së është edhe përgjegjësia e saj e dyfishtë para Këshillit të prokurorëve publik dhe Parlamentit. Shkariç shpjegon se ajo është logaridhënie shumë më e fortë për dallim nga Prokurorët Publik të cilët përgjigjen vetëm para këshillit të tyre.
“Jam i gatshëm që këto dimensione të kushtetutshmërisë së Ligjit mbi PSP-në më gjërësisht t’i shpalos në debat publik nëse debat të tillë organizon Gjykata Kushtetuese e RM-së. Po një debat të tillë duhet ta organizojë, le të dëgjohen argumentet ligjore për dhe kundër dhe të mos shpejtohet në procedurë edhe nëse ekziston presion i fuqishëm që procedura sa më parë të përfundojë. Sipas kësaj, Gjykata Kushtetuese në këtë rast ka një shancë të madhe ta tregojë fytyrën e vërtetë, veçanërisht të shihet a qëndron në anën e të drejtës ose në anën e politikës në pushtet” shton Shkariç.
Gjykata Kushtetuese nuk bazohet në Kushtetutën, fati i PSP-së është në duar të VMRO DPMNE-së
“Duke e pasur parasysh tërësinë e veprimtarisë së kësaj përbërjeje të Gjykatës Kushtetuese, me të vërtetë njeriu nuk mund të parashikon se çfarë do të bëjë. Çdo veprim i Gjykatës Kushtetuese për momentin është nën ndikim të një partie politike, të DPMNE-së. Pra nuk ka as bazë, as logjikë, as elemente jurudike që do të mund të na tregonin çfarë dhe si do të veprojë Gjykata Kushtetuese.”-tha për Portalb Najçevska,“Nëse Gjykata Kushtetuese do të mbështëtej në të drejtën, në ligjet, në atë që është shkruar në Kushtetutë deri tani do ta vendoste në rend dite dhe do ta hedhte si të papërshtatshme këtë kërkesë. Megjithatë Gjykata Kushtetuese pret t’i thojë dikush nga partia udhëheqëse, DPMNE, çfarë dhe si të veprojë dhe në bazë të asaj do të sjellë vendim.”
“Derisa Gjykata Kushtetuese nuk vepron sipas Kushtetutës, ligjeve dhe të drejtës çdo vendim është i mundur për momentin.”-u shpreh Mirjana Najçevska.
Kjo storje është realizuar me anë të bashkëpunimit ndërmjet NOVA TV dhe Portalb.