Përmbytje në disa rrethe të Shqipërisë, më problematike situata në Vlorë (VIDEO)

Reshjet intensive të shiut që kanë nisur prej orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë shkaktuar probleme në disa rrethe të Shqipërisë.

Në Vlorë janë rikthyer përmbytjet. Rrugët lidhëse me Transballkaniken dhe bulevardi janë në ujë dhe të pakalueshme për qytetarët dhe mjetet e vogla.

Përmbytjes nuk i kanë shpëtuar dhe bizneset përgjatë bulevardit dhe katet e para të objekteve. Mësohet se hidrofori është në punë me kapacitet të plotë.

Në disa zona raportohet se ka ndërprerje të energjisë elektrike. OSHEE ka dhënë alarmin se nënstacioni i Skelës rrezikon të përmbytet.

“Niveli i ujit u rrit shpejt rreth orës 07:35. Po punohet me brigadat për pastrimin e ujit. Pa energji lagjja “Pavarësia”.

Si pasojë e reshjeve ka pasur edhe rrëshqitje dherash, të cilat kanë bllokuar aksin rrugor Vlorë-Radhimë.

Ja zonat problematike në Vlorë, të bllokuara disa mjete:

Nga të dhënat paraprake të policisë mbi situatën hidro-meteorologjike në Qarkun e Vlorës bëhet me dije se ka reshje shiu dhe zonat më problematike janë akset rrugore nga Kampi i Puntorëve deri tek Uji i ftohtë, ku janë bllokuar disa mjete nga rënia dhe depozitimi i inerteve (nuk kemi dëmtime të objekteve).

Problematike janë gjithashtu zonat “Ujë i ftohtë” – “Radhimë”, fshatrat “Sherisht”, “Selenicë”, “Peshkëpi”, vendet e quajtura “Skelë”, “Albano dhe Romina”, “Kepi i kalldrëmit”, lagjia “10 Korriku”, zona prej të cilave ka telefonata për ndihmë nga disa familje.

Mësohet se janë njoftuar shërbimet e Emergjencës së Prefekturës dhe Drejtorisë së Ujësjellësit/Kanalizimeve.

Sakaq në Orikum, Himarë, Novoselë, Sarandë dhe Delvinë ka reshje por nuk paraqiten probleme për momentin. Lumi Vjosa është në shtratin e vet, bën të ditur oranews.

Policia thotë se situata po mbahet në kontroll nga shërbimet e patrullave dhe SPZ.

Lagjja “Besëlidhja” e Lezhës nën ujë

Problematike paraqitet situata dhe në Lezhë. Mësohet se ka përmbytje të bizneseve dhe banesave në lagjen “Besëlidhja” të qytetit.

OST njofton se është dëmtuar linja 110 kv Plasmas-Kavajë. Për pasojë Kavaja, Golemi, Seferaj dhe Qerreti janë pa energji elektrike.

Edhe Durrësi nën ujë, probleme me qarkullimin

Përmbytje masive nga reshjet edhe në Durrës.Përmbytje raportohen në disa zona problematike si tek Stacioni i Trenit, Plazh, Shkozet, ish-Kënetës dhe Spitallë. Në disa lagje të qytetit si 1,5, 4 ka probleme me trafikun për shkak të pranisë së ujit në rrugët e qytetit.Reshjet e shiut të shoqëruara dhe me shtrëngata nuk kanë pushuar përgjatë gjithë natës dhe vijojnë ende.

Përmbyten 100 ha tokë në Fier

Reshjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme të kulturave bujqësore në Fier. Rreth 100 ha tokë janë përmbytur në Portez, Mbrostar, Levan dhe Seman.

Burime nga Drejtoria e Bujqësisë bëjnë me dije se kryesisht është përmbytur tokë djerrë, ndërsa një sasi e vogël ka qenë e mbjellë me perime të stinës dhe jonxhë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button