Thaçi: Ministra sa BDI-ja në qeverinë e zgjeruar

Kriza politike në Maqedoni tani është shumë e thellë se vitin e kaluar. Kështu ka vlerësuar kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, gjatë iftarit të shtruar për strukturat partiake, mbrëmë në Tetovë.

“Tani jemi shumë më larg marrëveshjes se sa para 13 muajve. Sinqerisht as vetë nuk e kam të qartë se çka po ndodhë më me listën zgjedhore. Rreth 80 për qind e atyre që kërkohet të fshihen nga lista janë shqiptarë”, deklaroi Thaçi.

Kryetari i PDSH-së, për gazetarët, theksoi se pushteti bën ofertë për kyçje në qeveri të LSDM-së dhe PDSH-së, por me kusht që të caktohet dita e zgjedhjeve dhe kyçja e opozitës të bëhet 100 ditë para zgjedhjeve.

“Për ne është e papranueshme të formohet qeveri teknike, por vetëm qeveri e koalicionit të gjerë në të cilin raporti i ministrave të BDI-së dhe PDSH-së do të jetë 50 me 50”, theksoi Thaçi.

Sipas Thaçit në Maqedoni nuk ekziston krizë politike por krizë ndëretnike. Ai po ashtu shtoi se për listë të mirëfilltë zgjedhore nevojitet regjistrim i popullsisë, por nënvizoi se ka përshtypje se ndërkombëtarët janë kundër regjistrimit dhe hapjeve të çështjeve etnike, sepse në këtë mënyrë do të bie në plan të dytë kriza politike.

Ai është i bindur se sivjet nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. PDSH, sipas Thaçit kërkon që deri në dhjetor të caktohet data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ose të shkohet me zgjedhje të rregullta në vitin 2018.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button