Tetova proteston “kanë mbetur 5 minutat e fundit për të reaguar”

Këshilli Organizativ i Protestave “STOP ndotjes kancerogjene të Tetovës”, paralajmëroi për të djelën protesta në sheshin e Tetovës.

“Duke u nisur nga rezultatet zyrtare, të cilat tregojnë një ndotje alarmante në Tetovë me 17 herë me shumë se e shkalla e lejuar, si dhe nga pamundësia që të merret frymë për shkak të ajërit që ka ndotje në nivel të helmimit, NE qytetarët e këtij rajoni paralajmërojmë protesta masive me qëllim të vënies pikë të ndotjes kancerogjene të kësaj ane. 
Protesta do të mbahet të dielën (29 dhjetor) ne sheshin e Tetovës, në ora 11.55”, thuhet në njoftimin e këshillit. 

Në këtë link mund ta ndiqni gjendjen aktuale me ndotjen e ajrit e cila edhe sot është maksimale.

“Koha e mbajtjes së protestës është zgjedhur 5 minuta në 12 me qëllim të dërgimit të porosisë te të gjithë qytetarët, banorët e Tetovës dhe komunave përreth se na kanë mbetur 5 minutat e fundit që të reagojmë para se të bëhet tepër vonë”.

Protestuesit do të dalin me këto kërkesa:

1. Qeveria t’i mbyllë të gjithë kapacitetet industriale që paraqitet si ndotës më të mëdhenj, deri sa t’i implementojnë snadardet e nevojshme ekologjike nëpërmjet vënies së filtrave në tymtarët e tyre.
2. Urgjentisht të zgjidhet çështja e deponive të egra në rajonin e Pollogut
3. Inspektoratet qeveritare dhe komunale të mbrojtjes së mjedisit të ndëshkojnë konform ligjeve në fuqi të gjithë ato persona që ilegalisht ndezin goma dhe materiale tjera në komunën e Tetovës, Tearcës, Zhelinës, Jegunocit, Bogovinës dhe Bërvenicës.

“Qëllimi jonë nuk është mbyllja e kapaciteteve industriale, por që të njëjtit t’i plotësojnë standardet ekologjike që janë të parapara me Planin aksional për mbrojtjen e ambientit jetësor, të cilat janë ndër kushtet e anëtarësimit në BE. I ftojmë të gjithë qytetarët e Tetovës dhe rajonit të Pollogut ta ngrenë zërin e tyre nëpërmjet pjesëmarrjes në protestën e së dielës dhe në periudhën e ardhshme, deri në realizimin e kërkesave tona të përbashkëta.

Ky mision patjetër të përmbushet si parandalim i sëmundjeve kancerogjene dhe të frymëmarrjes, të cilat i shkakton kjo shkallë e ndotjes.

NE, pa dallim të përkatësisë politike, ideologjike, fetare dhe etnike e kemi PATJETËR që bashkërisht dhe në mënyrë energjike të reagojmë që të sigurojmë një ambient normal për jetesë, jo vetëm për në por edhe për gjeneratat që do të vijnë pas nesh. 

Ne PATJETËR t’i themi STOP ndotjes kancerogjene të Tetovës dhe komunave përreth”, thuhet në njoftim. 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button