Refugjatët në Greqi humbën durimin dhe paratë, duan të kthehen në Turqi

Refugjatët të cilët prej muajsh presin në kampet në afërsi të kufirit të Greqisë me Maqedoninë për shkak se u ka mbaruar durimi dhe paratë janë në kërkim të rrugëve për t’u kthyer në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas kalimit nga Turqia në Greqi refugjatët të cilët prej muajsh presin në kampet në Greqi për shkak të mbylljes së kufijve të vendeve mbi itinerarin drej Evropës, ata ankohen për procedurat që zgjasin shumë dhe për kushtet e jetesës.

Refugjatja 38 vjeçare nga Siria Huda Abdullah ka mbërritur në zonën kufitare para 4 muajsh. Ajo qëndron në kamp përreth një pike karburanti ndërsa tregon se bashkëshorti i saj ka arritur në Gjermani.

Abdullah qëndron në kamp bashkë me tre fëmijët e saj. “Nuk kemi më fuqi të rezistojmë këtu. Tani po të gjej ndonjë rrugë do të kthehem menjëherë. Nuk e di se si mund ta bëjë këtë. Askush nuk ka ardhur të na flasë ndonjë gjë. Jam e detyruar të kujdesem edhe për fëmijët. Edhe bashkëshorti nuk ndodhet pranë meje”, tha ajo.

Ajo tregon se në qytetin Kahramanmaras të Turqisë kanë qëndruar për tre vite dhe se bashkëshorti i saj siguronte të ardhura pasi punonte si lustrues këpucësh. “Edhe këtu përpiqemi të kalojmë me ato pak para që na ka dërguar bashkëshorti por edhe ato që kemi do të mbarojnë. Çfarë do të bëjmë më pas? Të paktën në Turqi kishim një jetë. Edhe ajo na iku nga duart. Kur unë të kthehem në Turqi edhe bashkëshorti im mendon të vijë në Turqi”, thotë Huda Abdullah.

– “Rrugës u nisën 4 familje” –

Ndërsa Omer Xhemil ka ardhur nga qyteti Halep i Sirisë dhe qëndron në kamp me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Ai tha se më parë kishte punuar për shtatë muaj në një fabrikë në qytetin Kajseri të Turqisë, ndërsa këtu i kanë konsumuar të gjitha ato që kanë patur dhe se nuk i kanë mbetur më para.

Ai tha se u nisën rrugës për të shkuar tek xhaxhai i tyre në Gjermani. “Tani kjo këtu është Evropa? Ndodhemi prej muajsh këtu. Edhe aplikimin e kemi kryer. Askush nuk interesohet dhe nuk pyet. Do të presim edhe një apo dy javë dhe nëse nuk marrim ndonjë rezultat do të kthehemi në Turqi”, tha Xhemil.

Në vazhdim ai tha se i kanë mbetur shumë pak para dhe se nuk mund të durojnë më tepër në këto kushte të rënda. “Ndoshta sikur të kishin ndonjë punë për të punuar këtu mund të prisnim edhe një vit por nuk e kemi as edhe një shans të tillë. Edhe në kampet zyrtare janë kushte të këqija. Miqtë tanë që kanë shkuar nuk kanë qenë të kënaqur. Nuk kemi alternativë tjetër”, shpjegon ai.

Duke theksuar se disa familje janë nisur Xhemil tha se “Në orët e para të mëngjesit 4 familje nga këtu u nisën. Do të shkojnë në kufirin e Turqisë. Dhe aty do të kalojnë në një mënyrë. Edhe ne së shpejti do ta provojmë të njëjtën rrugë”.

Në Greqi ndodhen në total 57 mijë refugjatë pasi në muajin shkurt vendet e Ballkanit mbyllën kufijtë ku dhe një pjesë e refugjatëve qëndrojnë në rajonet në afërsi të kufirit grek me Maqedoninë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button