Disa fjalë për leksikun tonë

Fjalorët e gjuhës shqipe, e kam fjalën për fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe, kanë një histori të varfër, e cila vjen si pasojë e ecurive dramatike të zhvillimit të gjithmbarshëm të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi gjatë shekullit XX. Në këtë zhvillim plot kontradikta e vështirësi  kemi prodhuar më shumë paradokse e absurde se sa që kemi hapur shtigje që do t’ua lehtësonin punën brezave që vijnë për t’i ndjekur zhvillimet dhe sukseset e popujve të ndryshëm të Evropës në fushë të kultivimit të traditës, në përgjithësi. Meqë fjalën e kemi për gjuhën shqipe, fjalia që qëndron para kësaj ka të bëjë pikërisht për këtë gjuhë, pra për gjuhën shqipe, jo për shtigjet nëpër të cilat ka kaluar në këtë shekull, po për vështirësitë me të cilat ballafaqohet ajo sot.

Në hapësirat tona etnike janë ngritur dy ndërtesa akademish të shkencave, janë themeluar disa institute të gjuhës shqipe, por, për fat të keq, nga të gjitha këto institucione mezi është shkruar një fjalor prej nja dyzet mijë fjalësh, i cili nuk është i lirë nga prangat politike të kohës kur është botuar. Nuk e kam fjalën për bazën e gjuhës së sotme shqipe, për standardin, sepse ajo u bë si u bë, doemos duhet të mbetet e tillë, sepse po i hymë punës që të merremi me këtë do të ballafaqohemi me problemin e Sizifit.

Nëse këtu nuk ka ilaç për bazën (sepse këtë do ta ndryshojnë vetë populli, pra do ta venë në binarë vetë njerëzit që e flasin këtë gjuhë dhe zhvillimet gjuhësore në të folmet e popullit gjatë viteve që vijnë) ne doemos duhet të ballafaqohemi me problemin e leksikut dhe të shprehjeve që i mungojnë shqipes sot. Në këtë moment ne kemi halle të mëdha sepse gjatë punëve (e veçmas gjatë përkthimeve) ballafaqohemi me mungesën e madhe të leksikut dhe të shprehjeve. E marrim Fjalorin e ASHASH (të kohës së diktaturës) dhe aty ato fjalë që janë të bukura e shqipe thuajse janë të padëshirueshme, prandaj shpeshherë pas tyre, në kllapa, qëndron vërejtja  krahinorizëm  që në të vërtetë është porosi, sa të mos themi se na ndalon, që t’i përdorim ato.

Kështu, fjalori edhe ashtu i varfër, fjalori i cili ka një terminologji të dendur të ideologjisë së shkuar, po që ka fare pak fjalë burimore shqipe, e edhe më pak shprehje,  e i cili nuk i plotëson nevojat e kohës për terminologji të fushave të ndryshme shkencore, një fjalor ku diktatura e proletariatit ka shpjegime të ngarkuara me përpjekje që kjo diktaturë të paraqitet si një formë e humanizmit të shkallës më të lartë, është një fjalor që ka fjalë turke e sllave e huazime të tjera krejtësisht të panevojshme. Ka gjithçka, por ato që na duhen nuk i gjejmë. Çka na duhet, bie fjala tezgjah (turqizëm) kur ne e kemi fjalën vek, që ka një shtrirje të gjerë. Ngjashëm me të është edhe folja vej (në vend të së cilës përdoret folja end. Gabim. Sepse edhe fëmijët e djepit e dinë se kjo folje përdoret në punët e vejtjes. Peri endet para se të vehet. E shihni, emri vek vjen nga folja vej. Të dyja këto, vej dhe vek, janë shqipe dhe duhet të ngjallen. Fjalë të tilla të bukura shqipe ka mjaft. Po ato s’i ka fjalori. Arsimtarë, profesorë me përvojë universitare të gjuhës shqipe, si për shembull, profesor Abdullah Zymberi (që ka botuar fjalorë të fjalëve të rralla e të bukura shqipe) kanë vjelë mjaft fjalë të bukura shqipe, por ato s’kemi si i përdorim sepse nuk na hiqet qafe ky fjalor i marksizëm-leninizmit. Po ashtu Studimet filologjike të Tiranës në vitet e diktaturës kanë botuar mjaft fjalë të tilla shqipe të vjela, kryesisht, nëpër fshatrat e Shqipërisë.

Në mungesë të autoriteteve institucionale dhe të “ndalesës” që i bën fjalori i kohës së diktaturës me atë krahinorizmin  e pafat, fjalët mbeten jashtë organizmit të gjuhës sonë, duke e lënë gjuhën “të stoliset” me fjalë si nevojë, (nga  sllavishtja  nevolja), panoramë (latinizëm), në vend të fjalës së bukur që Aleksandër Xhuvani e ka shënuar në Elbasan e që plotësisht e mbulon kuptimisht panoramën e që është fjala pamëni. Por nuk janë vetëm këto. Në hapësirën e shprehjeve gjendja është edhe më e keqe, e vështirë. Ato mezi janë në fillim të vjeljes. Keq, sepse ato na duhen aq shumë, se ato jo vetëm që e pasurojnë, por edhe e zbukurojnë gjuhën shqipe. E  jo vetëm kaq. Gjuha jonë shqipe, për dallim nga gjuhët sllave ka mundësi më të vogla të fjalëformimit me parashtesa e prapashtesa. Prandaj këtu na duhen shumë shprehjet, të cilat nëse nuk vilen tash e këtu, atyre u kanoset vdekja dhe harresa. Natyrisht se kjo punë, pra përgatitja dhe botimi i fjalorit të ri, që lihet pa u bërë është krim. Dhe përgjegjësinë për këtë e kanë institucionet që janë themeluar për studimin dhe mbrojtjen e gjuhës dhe të trashëgimisë sonë. Prandaj shtrohet pyetja se çka bëjnë këto institucione? Ku i kanë fjalorët e fjalëve të rralla? Ku i kanë fjalorët e shprehjeve? A nuk e kanë lexuar vallë, së paku, Mehmet Elezin, këto autoritete zyrtare që vijnë nga kohët e shkuara?

Këtu në Maqedoni, në disa krahina të Shqipërisë së mesme e ndoshta edhe në viset tjera ka një fond të rëndësishëm të fjalëve, më drejt të pezhorativave (pejorativave) që formohen me prapashtesën sh, si bie fjala, voksh, fiksh, gungsh, përqyrsh etj. Janë fjalë që aq shumë i duhen gjuhës shqipe. Për fat të mirë këto, në një pjesë të madhe, i ka përfshirë profesor Abdullah Zymberi në fjalorin e tij të botuar në Prishtinë. Në këtë fjalor janë edhe kompozitat e bukura të gjuhës shqipe si për shembull prishapunë, sosapunë, derdhaplag, prishaplang, djegashpi  etj. Në atë fjalor do të hasim ndërtime të mrekullueshme leksikore të Drenicës, fshatrave shqiptare të kufirit të Maqedonisë dhe Greqisë, të fshatrave të Malit të Zi. Po halli është se në terren ka edhe shumë material tjetër.

Sidoqoftë duhet theksuar se profesor Abdullah Zymberi e ka bërë këtë punë kolosale, por kush do ta vazhdojë? Çfarë bëjnë ata të institucioneve që duhet t’i sosin këto punë? Ku janë qeveritë dhe hisedarët e qeverisë së këtushme? Mos mendojnë vallë se këto projekte duhet të jenë nën kompetenca të degës ose të nëndegës dhe se dega e nëndega do të vazhdojnë të vendosin për kuadrot e këtyre institucioneve, për projektet që nuk presin. Më mirë njerëzit e politikës e kanë të mbahen për rrënjash se për degësh, po deshën të dalin faqebardhë në këtë fushë, pra në mbrojtjen e gjuhës shqipe, e cila ka mbetur në duart e secilit të sillet si të dojë me të, duke përdorur plot o.k.-ja, duke e zhvendosur theksin shqip e duke e bërë italisht ose maqedonisht, duke i shkelur pa mëshirë rasat, duke mos i respektuar rregullat e të shkruarit të emrave të huaj të përveçëm etj. etj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button