DESHA, POR…

Desha të shkruaja për një ditë perfekte që nisi me matematikanin Ilir Snopçen, vazhdoi me shkrimtaren turke Aslë Perker dhe vonë pas mesnate u përmbyll si nëpër ëndërr me Georgi Gospodinov, njëri nga më përkthyerit e letërsisë bullgare.

Ilir Snopçe, ardhur nga Rio de Zhaneiro ku ligjëron dhe zhvillon shkencë me nobelistë, erdhi mysafir dhe për atë një orë e ca ndriçoi rrotull me Frymën e vet. Inspirimi superior që ai rrezaton mbetet edhe gjatë pasi të shkojë, si diçka e kapshme në ajër, aq e fortë sa bëhet fizike, nëse mirë e thash…Nuri i tij, Fjala, Suksesi planetar…Konekcioni ynë energjetik përtej afërsisë farefisërore. Bisedat e gjata pas të cilëve nuk je i njëjti si para bisedës. Emailiat tona përgjatë viteve (sa dëm që sms-at janë fshirë – ato ekstrakte të tij, si haiku poezi). Kujtimet e fëmijërisë, rinisë dhe të kohës kur përpiqemi ta mbajmë gjallë fëmijën brenda nesh. Të gjitha në libër do i përmbledh. Lekcione mbi Esencën, pavarësisht temave për të cilat “Kështu fliste Iliri”. Është ëndërr e fuqishme prandaj do e bëj, një ditë.

Iliri më afroi mandej deri në” Junus Emre” dhe vazhdoi për Gostivar. Shkrimtarja Aslë Perker, ndër më të përthyerat e letërsisë turke dukej aq modeste pikërisht nga shkaku se nuk ka arsye për të qenë e tillë. Rrëfeu se gjatë shpërnguljeve të shpeshta, në pamundësi të krijojë miqësi të qëndrueshme, librin e ka pasur bukvalisht Mik. Foli për vetminë e bukur, gjendjen imanente të çdo krijuesi që kënaqet me punën e vet dhe duke u kënaqur e bën më së miri që din. Foli për bibliotekën e madhe të babait ku ka kaluar gjithë kohën e lirë. Po, leximi është gjysma e të shkruarit.

Nuk shkruan dot pa “bibliotekën e madhe”. Foli për muzikën e gjuhës: e njëjta gjë mund të jepet ashtu që ta mbajmë mend ose jomirë sa menjëherë e harrojmë. Pasi nuk është përmbajtja kryesorja, është edhe forma, ose çështja madhore jo vetëm letrare: Si na tingëllon gjuha? Prezantimi ishte i thellë, i bukur, asgjë e tepërt, gjithçka e vlefshme, lyp tekst të veçantë.

Desha të shkruaja për takimin pas mesnate, momentin filmik para hotelit ku po ktheheshin shkrimtarët e festivalit “Pro-Za Balkan” pas darkës së fundit. Autori im i preferuar bullgar qëndronte një metër larg, për më pak se një minutë kontraktuam intervistën për të nesërmen kur kthehej në Sofje. Më erdhi ta përqafoj: ishte spontan, qeshej me zë, top-shkrimtari modern europian që i ngjan De Niros së para 30 viteve. Mendova “përqafimin lere pas intervistës”. Ashtu edhe u bë. Ja vetëm fundi i intervistës:

“E para, është një thënie e mrekullushme e Borhesit i cili thotë: “Dashuria është kur një femër të dhemb në gjithë trupin”…

Dhe e dyta, mendoj se është shumë e rëndësishme t’ia mundësojmë të pamundurën dikujt. Në jetë çudirat ndodhin kur çuditemi me të pamundurën”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button