Zaev: Maqedonia nuk është dashur t’i prishë raportet me Serbinë

Qeveria e Maqedonisë në mënyrë të panevojshme i ka prishur raportet miqësore me Serbinë, në momentin kur ka votuar pro pranimit të Kosovës në UNESCO dhe duke lejuar që kishat ortodokse serbe t’i dorëzohen palës kosovare. Kështu ka thënë kryetari i partisë opozitare maqedonase – LSDM, Zoran Zaev, në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, e sipas të cilit, ndonëse Maqedonia ka pranuar pavarësinë e Kosovës, është dashur që ky vend të mendojë mirë gjatë votimit në UNESCO, raporton gazeta KOHA – Shkup.

“Ne e kemi pranuar Kosovën dhe ky proces është i përfunduar. Por, Maqedonia është dashur që të jetë shumë e vëmendshme kur ka votuar për një çështje e cila nuk ka qenë politike, por fetare dhe shumë e ndjeshme për popullin mik serb”, ka thënë Zaev. Kreu opozitar i Maqedonisë ka folur edhe për problemet mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni lidhur me vendosjen e shtatores së “Car Dushanit” në Shkup dhe ka vlerësuar se deri te ky kontestim ka ardhur për shkak të qeverisjes “kuazi-patriotike” të VMRO-DPMNE-së së ish-kryeministrit, Nikola Gruevski.

Zaev, siç raporton gazeta KOHA, ka shtuar se raportet mes Maqedonisë e Serbisë duhet të përmirësohen, sikurse me të gjitha shtetet fqinje.

“Marrëdhëniet e Serbisë dhe Maqedonisë patjetër të përmirësohen, ashtu si edhe marrëdhëniet me shtetet fqinje tjera. Me Serbinë, kjo duhet të jetë lëvizja e parë e Maqedonisë. Vendet fqinje duhet të jenë miqtë e parë të Maqedonisë , në qoftë se ne duam që Evropa të na konsiderojë miq, bota gjithashtu të na konsiderojë si një mik “, tha Zaev në pyetjen se çfarë lloji të politikës së jashtme do të ndjek nëse vjen në pushtet. Lideri i LSDM-së ka kritikuar qeverisjen aktuale të Gruevskit se po i prish raportet me të gjitha shtetet fqinje të rajonit duke përfshirë Serbinë, Greqinë, Bullgarinë dhe Shqipërinë.

“Nuk është e mundur që të gjithë të jenë fajtor. Ka shumë arsye se pse Maqedonia ka marrëdhënie të këqija me fqinjët. Marrëdhëniet diplomatike patjetër të kompletohen, të jemi të gatshëm të ndajmë historinë e përbashkët dhe kjo të jetë një urë që na bashkon, e jo që na ndan”, është shprehur Zaevi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button