Shkup, MCMS publikon raportin mbi transparencën e institucioneve publike

Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS) ka prezantuar sot raportin vjetor “Pasqyra e Qeverisë – 2015: Pjesëmarrja e publikut në procesin e përgatitjes së ligjit, i treti me radhë, të dhënat e të cilit, sipas organizatës flasin për një trend të regresit krahasuar me rezultatet pozitive të shënuara më herët, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftoi në konferencën për mediat Marija Sazdevski nga MCMS, në analizë është përfshirë vlerësimi i transparencës së organeve shtetërore në komunikim me qytetarët, përkrahja për organizatat qytetare si dhe transparenca gjatë përpilimit të propozim ligjeve konkrete duke përfshirë 11 ministri dhe 18 propozim-ligje, ndërkohë që është analizuar edhe respektimi i afatit kohor për publikimin e rregullativave në regjistrin kombëtar elektronik.

“Analiza flet për thellimin e mbylljes së institucioneve. Mjedisi komunikues i institucioneve dhe shkalla e transparencës kanë notën mesatare 3.00 (nga 1 deri në 5) që shënon ulje nga ai i vitit 2012 kur ka qenë 3.47. Nota e pjesëmarrjes se opinionit në përgatitjen e ligjeve është gjithashtu 3.00 ndërsa përkushtimi institucional i ministrive shënon një ngritje të vogël nga 2.88 në vitin 2014 në 3.00 vitin 2015-të”, deklaroi Marija Sazdevski nga MCMS.

Sipas saj shënohet një përkeqësim i transparencës edhe në përgatitjen e propozim ligjeve.

“Nota e përgjithshme mesatare është 2.67 ndërsa në vitin 2014 ishte 3.1. Është përkeqësuar edhe mënyra e informimit për procesin e përgatitjes së propozim – ligjeve nga 2.83 në vitin 2014 në 2.5 vitin 2015” tha më tej Sazdovski duke veçuar Ministrinë e Punëve dhe Politikës Sociale dhe Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor si bartës të përvojave pozitive.

Analiza e MCMS-së konstaton se opinion nuk ka qasje te transkriptet e rregullta ditore të qeverisë që vështirëson ndjekjen e krijimit të politikave, ndërsa me keqardhje konstaton se opinioni nuk shfaq ndonjë interes të theksuar për të komentuar regjistrin kombëtar elektronik, pasi gjatë tërë periudhës sa është ndjekur puna e tij janë bërë vetëm 38 komente për 136 propozim ligje të publikuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button