Bushati: NATO i ka dyert e hapura për Kosovën

NATO vazhdon t’i ketë dyert e hapura për anëtarë të rinj. Në këtë kuadër Kosova, sikurse edhe vendet e tjera në rajon, janë të mirëpritura në gjirin e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Kështu theksoi ndër të tjera ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati në hapje të sesionit tre-ditor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që për herë të parë mbahet në Tiranë.

Sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të rishikojë mënyrën se si Aleanca e Atlantikut të Veriut i përgjigjet nivelit të sfidave me të cilat përballën aleatët, siç janë terrorizmi, çështja e Rusisë, konflikti në Irak dhe Siri, migrimi masiv si dhe përhapja e raketave dhe armëve të shkatërrimit në masë.

Në hapje të Asamblesë u ritheksua se NATO do t’i ketë dyert e hapura për anëtarë të rinj. Në këtë kuadër kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati vuri re rrugën e qartë dhe të mirëpërcaktuar drejt proceseve integruese si në Bashkimin Europian dhe në NATO edhe për Kosovën.

Lidhur me zgjerimin e NATO-s dhe mundësitë e anëtarësimit të Kosovës, të Maqedonisë, Bosnjë e Hercegovinës, madje edhe Serbisë, u shprehën në një konferencë për shtyp presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Machael Turner dhe kreu i delegacionit të Shqipërisë në këtë Aleancë, Pandeli Majko, raporton televizioni publik.

Për sa i përket luftës kundër terrorizmit, Shqipëria mori vlerësime të larta për pjesëmarrjen dhe kontributin e saj në çdo mision paqeruajtës të NATO-s në zonat e krizës në botë.

Ditën e hënë, Asambleja do të mblidhet në seancë parlamentare dhe pritët të miratojë agjendën si dhe tekstin e Rezolutës që do t’i paraqiten Samitit të NATO-s në muajin korrik në Varshavë.

Në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë, Kosova përfaqësohet nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti. Kosova në këtë Asamble ka statusin e vëzhguesit që nga viti 2014.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button