Menyja ideale për ushqyerjen e adoleshentëve

Duhet të mënjanohet praktikimi i dietave monotone dhe të paekuilibruara vetëm se janë në “modë”

Adoleshenca është periudha e jetës midis pubertetit dhe moshës adulte (nga 12-18 vjeç afërsisht). Është një moshë mjaft delikate, e shoqëruar me ndryshime të rëndësishme fiziologjike: rritje të shpejtë të shtatit, pjekuri të pjesëve të trupit etj. Në këtë fazë, organizmi ndeshet me një rritje shumë të shpejtë që shoqërohet me nevoja shumë të larta për energji dhe nutrientë, sidomos proteina, hekur, kalcium dhe vitamina A, C dhe D.

Vajzat

Një vëmendje e veçantë iu kushtohet vajzave adoleshente, të cilat kanë nevojë të jenë të mirushqyera, si për zhvillimin tipik të kësaj faze të jetës edhe për përballimin e shtatzënive në të ardhmen. P.sh. te vajzat në adoleshencë, nevojat për hekur dhe kalcium rriten në mënyrë të shpejtë deri në moshën e rritur: Një mbulesë e pamjaftueshme e këtyre nevojave shoqërohet me rrezikun e shfaqjes së anemive nga mungesa e hekurit dhe një reduktim të mineralizimit të skeletit, deri në atë gradë sa të çojë në shfaqjen e shenjave të parakohshme dhe të rënda të osteoporozës në moshë të rritur. Në fakt, është pikërisht në këtë moshë, që shpesh të rinjtë, ose për të afirmuar personalitetin e tyre, ose për t’u dobësuar dhe për t’ju përshtatur “modës” ushqimore apo estetike, praktikojnë skema jo të ekuilibruara të të ushqyerit, shpesh kaq të varfra dhe monotone, sa që shoqërohen me humbjen e lëndëve të rëndësishme ushqimore. Në përgjithësi është shumë i këshillueshëm përdorimi i qumështit, kosit (të preferueshme këto pjesërisht të skremuara), si dhe një konsum i shpeshtë i frutave dhe perimeve, peshkut, mishit të dobët pa dhjam, të shoqëruara me një aktivitet të mirë fizik. Në këtë moshë nuk duhet të lejohet konsumi i ushqimeve tipike të Fast food-it.

Kujdes!

Duhet të mënjanohen praktikimi i dietave monotone dhe të paekuilibruara vetëm se janë në “modë”. Nëse jeni një vajzë në adoleshencë, bëni veçanërisht kujdes për plotësimin e nevojave tuaja të rritura për hekur dhe kalcium. Mos përjashtoni nga dieta juaj mishin dhe peshkun (burime të rëndësishme me hekur), qumështin dhe nënproduktet e tij (burime shumë të mira në kalcium) etj.

Dieta

Dieta e rekomanduar iu është përshtatur nevojave të kësaj moshe. Ajo iu korrespondon vlerave mesatare të fëmijëve të kësaj moshe, pasi nevojat individuale varen edhe nga aktiviteti fizik.

Vaji dhe yndyrat

Të përdoret e shumta 2 lugë të vogla (10 g) vaj vegjetal i cilësisë së lartë/ditë (kryesisht vaj ulliri) për sallatë. Përdorni 2 lugë të vogla (10 g) vaj vegjetal për gatim (tipi i vajit i preferuar është vaj luledielli, kikiriku, misri). Përdorni 2 lugë të vogla (10 g) gjalpë ose margarinë bimore me vlera të larta ushqimore për lyerjen e bukës.

Ëmbëlsirat

Të konsumohet e shumta një ëmbëlsirë e vogël (1 racion<50g) në ditë, p.sh. një fetë kek i vogël, një racion akullore (por mos harroni se ëmbëlsirat përmbajnë sheqer dhe ëmbëltues të ndryshëm që favorizojnë kariesin e dhëmbëve, ndaj duhen përdorur sa më rrallë). Konsumoni e shumta 10 g sheqer në ditë, në formën e marmelatës (20 g), mjaltit (10 g) apo sheqerit shqeto (10 gr).

Mishi, peshku, veza

Të konsumohen në javë 4 racione mishi (1 racion=90 g), më shumë nuk është e nevojshme, më pak është e mundur (duke e zëvendësuar vetëm një herë në javë një racion mish me një racion proshutë ose sallam). Të përdoret një herë në javë një porcion peshk (1 racion=100 g). Të konsumohen 2-3 kokrra vezë në javë, duke përfshirë këtu edhe vezët për gatim, si p.sh për biskotat, kek, krem pastiçerie etj. Të konsumohen një porcion legume në javë (1 racion= 60 g) si p.sh bizelet dhe thjerrëzat.

Qumështi

Të konsumohen çdo ditë 2-3 racione të këtyre produkteve (1 racion= 200 mln qumësht/ 180 g kos/ 30 g djathtë të fortë /60 g djathtë të butë).

Drithërat dhe patatet

Të konsumohet çdo ditë 3-4 porcione (1 racion=120-160 g) si patate, oriz, makarona, bukë etj. Duke iu dhënë prioritet produkteve integrale.

Fruta

Të konsumohen 2-3 racione frutash në ditë (1 racion= 100-150 g) mundësisht të freskëta dhe të lara mirë. E rekomandueshme 1 racion= gjysmë molle, gjysmë banane, 2 kumbulla, 100 ml lëng frutash të freskët.

Perime

Të konsumohen 2-3 porcione perime në ditë, (ku të paktën njëri porcion të jetë i freskët i papërpunuar) dhe ku 1 racion = 100 g perime të freskëta/ 50 g perime gjethe /100 gr sallatë mikse ose 100-150 ml lëng perimesh. Fëmijët pëlqejnë në përgjithësi sallatën me perime të prerë në kubikë ose salcën me perime.

Pijet

Të konsumohen çdo ditë 5-6 gota lëngje jo të sheqerosura (ujë, ujë mineral natyral, çaj bimësh, lëngje të freskëta të holluara). Asnjë pije të mos përmbajë alkool. Vetëm në raste shumë të rralla mund të përdoren pije me përmbajtje kafeine si çajrat, ose pijet me bazë kola.

Somario

Dietat -Në fakt, është pikërisht në këtë moshë, që shpesh të rinjtë, ose për të afirmuar personalitetin e tyre, ose për t’u dobësuar dhe për t’iu përshtatur “modës” ushqimore apo estetike, praktikojnë skema jo të ekuilibruara të të ushqyerit, shpesh kaq të varfra dhe monotone, sa që shoqërohen me humbjen e lëndëve të rëndësishme ushqimore.

 

Lëndët ushqyese

Proteina % E 10-15
Karbohidrate (totali)% E >55
Fibra (g) >25
Yndyra % <30
Kolesterol mg <300
Alkool %
Vitamina D mg 0-15
Riboflavina mg 1.6 (M)
1.3 (F)
Folate mg 400
Kalium mg 3.1
Kalcium mg 800
Natrium g
Magnezium mg 300
Hekur mg 13 (M)
17 (F)

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button