Debat publik, segregacioni pengesë për arsimin e integruar në Maqedoni

Segregacioni etnik është pengesa kryesore për zbatimin e Arsimit të Integruar. Ishte ky konstatimi kryesor në debatin publik mbi arsimin e Integruar, në të cilin kompetentët diskutuan për problemet më të cilat po përballet Strategjia Kombëtare që u miratua në vitin 2010 si një mjet për afrimin e nxënësve nga grupe të ndryshme etnike, raporton Anadolu Agency (AA).

Fari Hiseni nga Platforma për Multikulturalizëm tha se qëllimi i këtij debati publik është të shihet se ku ka aritur arsimi i integruar dhe cilat janë sfidat me të cilat përballet duke vënë theksin te segregacioni nëpër shkollat e mesme dhe fillore si pengesa kryesore për zbatimin e tij.

“Segregacioni është i të gjitha llojeve përfshirë atë etnik dhe fetar e deri tek rastet sociale dhe ky është problem kyç që nuk e lejon arsimin e integruar të vijë në shprehje ose të lulëzojë”, tha Hiseni për të shtuar se Ministria e Arsimit është më e thirrur për ta zbatuar, por siç tha analizat flasin se ka ngecje në zbatim.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Naziktere Sulejmani, në fillim të paraqitjes së saj nënvizoi se strategjia për Arsim të Integruar nuk ka afat kohor dhe se për të nuk mund të thuhet që ka një fillim dhe mbarim por se paraqet një proces të gjatë dhe të rëndë, por që patjetër duhet të implementohet nga fakti se Maqedonia është një shoqëri multietnike dhe multifetare.

“Në secilën shkollë fillore dhe të mesme ka ekip që merret me integrim ndëretnik i cili ka për qëllim ti inkorporojë në planet vjetore të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me integrimin ndëretnik”, tha ajo për të shtuar se në opinion nuk flitet për siç tha një mijë punë të mira, ndërsa një përleshje ndëretnike mes nxënësve mer në publicitet.

Profesori universitar, Petar Atanasov nga ana e tij tha se çështja që duhet të parashtrohet është nëse vallë mund të ndërtojmë sistem të integruar të arsimit në një shoqëri të dezintegruar në të cilën shkollat ballafaqohen me një segregacion ku vlerat kryesore në shoqëri janë korrupsioni dhe krimi.

“Strukturat politike e kanë patjetër ti përkushtohen këtij procesi sepse kjo nuk është punë vetëm e organizatave joqeveritare. Nuk mund të promovoni ndarje dhe nacionalizëm dhe të varni veshin se çfarë po ndodh në arsim. Nevojiten ndryshime shumë të vogla për të ndërtuar një arsim të integruar”, tha ai.

Debati i sotëm publik u organizua nga Platforma për Multikulturalizëm që është formuar në kuadër të projektit Përkrahje për Demokracinë në Maqedoninë Multietnike dhe realizohet nga Institucioni për Demokraci Shoqërore “Progres” me përkrahje të Fondacionit Kalevi Sorsa nga Finlanda.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button