Ukrainë, Fule takohet me Yanukovych

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Europian është takuar me presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovych, të premten, në vazhdën e një ngërçi politik aspak të lehtë, pas disa ditësh përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Liderët e opozitës kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme. Faqja zyrtare e Presidëncës raportoi mbi takimin e Yanukovych me Komisionerin për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fule, por nuk dha detaje mbi atë se çfarë është diskutuar.


Klitschko fton ndërkombëtarët për ndërmjetësim
Ish-boksieri, i kthyer tashmë në lider të opozitës, Vitali Klitschko, tha se nevojitet ndërmjetësim nga jashtë, nëse kërkohet të bëhet ndonjë progres në bisedimet mes opozitës dhe qeverisë.

“Duhen përfshirë ndërmjetës ndërkombëtarë në çdo diskutim të mundshëm për krizën në Ukrainë”, tha ai. “Yanukovych vendosi t’i deklarojë luftë popullit të vet, në vend që të ndalë përplasjet dhe të përpiqet të zgjidhë situatën me mirëkuptim. Ai përpiqet të mbajë pushtetin me çdo çmim, qoftë edhe me atë të gjakderdhjes, si dhe të destabilizojë vendin. Por, duhet të ndalet”.

Yanukovych dhe liderët e opozitës zhvilluar raundin e dytë të bisedimeve gjatë së enjtes, por në përfundim të tyre nuk pati asnjë zgjidhje. Të dy palët, gjithsesi, deklaruan se do të vazhdojnë të bisedojnë.

Zgjidhja e krizës, – këmbëngul Klitschko, – varet nga bisedimet me BE-në, veçanërisht me Fule.

“Dje u propozuan hapat më minimalë të mundshëm, por që nuk mund ta zgjidhin krizën. Kjo është arsyeja pse këto propozime irrituan popullin. Fillimisht, ata kërkuan që ministri i Brendshëm Zaharchenko dhe qeveria e kryeministrit Mykola Azarov të dorëhiqeshin, por tashmë kërkesa themelore është dorëheqja e presidentit. Por, ai pretendon se nuk po ndodh asgjë”, tha Klitschko.

BE: Ashton dhe delegacioni i PE drejt Ukrainës
Në një publikim në Twitter, Bashkimi Europian njoftoi se shefja e Politikës së Jashtme, Catherine Ashton, dhe një delegacion i Parlamentit Europian kanë planifikuar një udhëtim në Ukrainë, javën e ardhshme.

Ndërkohë, protestuesit anti-qeveritarë punuan gjatë së premtes për të forcuar barrikadat e ngritura në rrugët qendrore të Kievit, si dhe pushtuan një ndërtesë të një ministrie, raportoi agjencia ukrainase e lajmeve “Ukrinform”.

Ministri i Brendshëm ukrainas, Vitaliy Zakharchenko, tha më herët gjatë së premtes, se nëse protestuesit do të largoheshin nga rrugët, ku dhe është fokusuar dhuna, policia nuk do të persekutojë ata. Ai premtoi gjithashtu se policia nuk do të përdorë dhunë ndaj atyre që janë mbledhur në sheshin “Pavarësia” të Kievit, apo “Maidan” siç njihet ndryshe.

Lajme të ngjashme

Back to top button