Politika e jashtme e kandidatëve presidencialë

Për Ballkanin në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti presidente më e favorshme do të ishte Hillarin Klinton

Politika e jashtme amerikane dhe roli i presidentit. Politika e jashtme amerikane në përgjithësi është konzistente dhe nuk ndryshon shpejtë kurs me ndërrimin e rezidentit në Shtëpinë e Bardhë. Me rrëzimin e murit të Berlinit dhe mposhtjes së komunizmnit, qëllimet e saja në vija të trasha janë ruajtja e balancit të tashëm gjeopolitik – pra pengesën e ngritjes së ndonjë konkurenti të ri global, rrënia e barierave për tregëti të lirë, sidomos kontrolli mbi rrugët detare, lëvizja e lirë e kapitalit dhe lufta kundër terrorizmit që kërcënon këto parime. Mirëpo në suaza të këtyre qëllimeve SHBA-të me presidentë të ndryshëm kanë përdorur qasje dhe metoda të ndryshme, ndonjëherë më paqësore e ndonjëherë më luftarake.

Megjithëse kjo politikë është lartë poshtë e definuar, presidenti ka rol tejet të rëndësishëm pasi është bartësi kryesor i politikës së jashtme. Presidenti gjithashtu shpreh vullnetin e popullit amerikan, kështuqë në raste të ndryshme kur peshorja e opinionit publik amerikan oscilon në njërën anë, siç duket të jetë edhe ky vit, presidenti mund të bëjë kthesë të madhe në gjithë qasjen amerikane ndaj botës. Kështu ka ndodhur për shembull me presidentin Uilson që i dha fund izolacionizmit amerikan në fillim të shekullit, apo me presidentin Regan që morri qëndrim më të fortë karshi Bashkimit Sovjetik (duke e quajtur Perandoria e Ligë) ndryshe nga politika e kohabitacionit të paraardhësve të tij. Prandaj pozicionet e secilit president potencial janë më se të rëndësishme për gjithë botën. Nëse vetë amerikanët do të peshojnë qëndrimet e kandidatëve për çdo çështje, pjesa tjetër e botës do t’a ketë vëmendjen te politikat e jashtme të kandidatëve. Ja cilat janë ato.

Hillari Klinton. Favoritja demokrate është pa dyshim kandidati më kompetent në politikën e jashtme pasi ka shërbyer si sekretare e shtetit, gjegjësisht ministre e punëve të jashtme. Prandaj ndryshe nga kandidatët tjerë ajo mund të vlerësohet jo vetëm nga premtimet, po edhe nga veprat e saj. E këto tregojnë se Klinton është më afër politikës së jashtme të 25 viteve të fundit. Fillimisht ajo ka përkrahur intervenimet e burrit të saj nëpër botë, ndërsa më vonë si senatore ka votuar pro luftës në Irak. Si sekretare e shtetit gjithsesi mbahet mend për intervenimin në Libi dhe për retorikën anti-Asad në Siri.

Në përgjithësi Klinton është “skiftere”, idhtare e politikës intervencioniste amerikane nëpër botë, e afërt me krahun neokonzervativ të partisë republikane. Ajo nuk ka dilema se botës i duhet një polic global dhe se këtë rol mund t’a luajë vetëm SHBA. Si presidente ajo pa dyshim do të jetë edhe më e ashpër se ish-shefi i saj Obama dhe nuk do të hezitojë të përdorë forcën kur të preken interesat amerikane. Me të mund të presim konfrontime më të ashpra me Rusinë rreth Ukrainës dhe Sirisë, apo me Kinën rreth ishujve në Detin kinez jugor. Në Ballkan SHBA do të jetë më aktive dhe do të kundërshtojë më me forcë ndikimin në rritje rus. Motiv shtesë për këtë është fakti që Klinton me gjithë stafin e saj e njeh rajonin tepër mirë edhe personalisht. Në përgjithësi Klinton është kandidatja më e favorshme si për shqiptarët, ashtu edhe për perspektivat euroatlantike të gjithë rajonit.

Berni Sanders. Fokusi i Sandersit gjatë gjithë karrierës së tij ka qenë pabarazia ekonomike në SHBA. Si i tillë ai është shembull klasik i një “pëllumbi” që kundërshton avanturat amerikane nëpër botë dhe kërkon që një pjesë e madhe e buxhetit të mbrojtjes të dedikohet për qëllime tjera. Megjithatë duhet cekur se ai ka përkrahur intervenimin në Kosovë në baza humanitare. Më vonë ka kundërshtuar luftërat në Irak dhe Afganistan, si dhe intervenimet e viteve të fundit në botën arabe.

Nën Berni Sandersin mund të presim një Amerikë të kthyer kah vetja dhe kah problemet e saj ekonomike. Buxheti i Pentagonit do të reduktohet dhe do të përdoret për qëllime tjera. Në botë ai do të kërkojë më tepër bashkëpunim dhe mirëkuptim. Megjithëse qasje fisnike, kjo me siguri do t’u japë hapësirë pretendetëve tjerë globalë e rajonalë si Rusia, Kina dhe Irani. Politika e këtillë është e destinuar për dështim njëlloj si qasja e këtillë e Obamës në disa raste. Atë që refuzojnë t’a pranojnë “pëllumbat” amerikanë është se shtetet e këtilla i lexojnë kërkesat amerikane për mirëkuptim si shenja dobësie.

Donald Tramp. Favoriti republikan është më i vështiri për t’u lexuar kur vjen puna te politika e jashtme, edhe atë për dy arsye. Së pari Tramp nuk është politikan dhe nuk ka ndonjë histori vendimesh në politikën e jashtme. Së dyti paraqitja e tij e deritanishme shkon kryekëput kundër qëndrimeve të partisë së tij republikane.

Në thelbin e pozicioneve të Trampit në politikën e jashtme qëndron slogani “America First” (“Së pari Amerika”). Me këtë ai nënkupton se Amerika po shpenzon tepër në avantura nëpër botë dhe se ato resurse më mirë do të ishin përdorur si investime në SHBA. Kësisoj ai mban qëndrim izolacionist, deri diku të ngjashëm me Sandersin. Por ndryshe nga Sanders Tramp premton se do të forcojë edhe më kapacitetet ushtarake amerikane. Ai poashtu nuk do të hezitojë të përdorë forcën atje ku mendon se janë cenuar interesat amerikane. Pra ai nuk është kundër përdorimit të forcës, sa është kundër ndërrimit të regjimeve sidomos nëse ato regjime nuk i kanë penguar SHBA-ve. Më konkretisht ai ka mirëkuptim për politikat e Putinit dhe Asadit, por nga ana tjetër kundërshton marrëveshjen me Iranin. Bëhet fjalë për një politikë të jashtme totalisht boshe nga aspekti moral, e bazuar kryekëput te marrëveshje me shtetet tjera në formë biznesi.

Tramp ka qenë kundër luftës në Irak, ndërsa për Kosovën ka patur qëndrim të paqartë. Ai ka kritikuar intervenimin e Klintonit, por nga deklaratat e tij nuk është e qartë nëse ka qenë kundër intervenimit apo kundër mënyrës si është ekzekutuar.

Tramp pa dyshim do të ishte presidenti me politikë të jashtme më të dëshmshme si për botën, ashtu dhe për Ballkanin dhe shqiptarët. Ai do të ndërpriste rolin amerikan të policit global, duke ju lënë rrugë të lirë lloj-lloj diktatorëve e avanturierëve të bëjnë ç‘të munden nëpër botë. Politika e këtillë izolacioniste pa asnjë moral do të riniste një numër konfliktesh, që hë për hë nuk ndodhin sepse në llogaritë e agresorëve potencialë vihet akoma grushti amerikan.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button