Hajndëll në Tetovë takon sot Ahmetin dhe Thaçin

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Maqedoninë, Johanes Hajndëll sot në Tetovë duhet të ketë takime me liderët e BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Hajndëll dje u takua me presidentin Gjorge Ivanov, me kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanoski dhe me liderët e VMRO-DPMNE-së dhe të LSDM-së, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev. Në takime është biseduar për krizën politike në Maqedoni dhe mundësitë për tejkalimin e tyre.

Hajndëll pas takimeve të djeshme nuk dha deklaratë për mediumet, por ndërkohë u prononcua Ministria gjermane e Punëve të jashtme.

“E përshëndesim vendimin e Parlamentit të Maqedonisë për shtyerje të sërishme të zgjedhjeve parlamentare të cilat ishin caktuar për më 5 qershor. Kjo do t’u japë mundësi partive ta përmirësojnë zhvillimin shqetësues të ngjarjeve në muajt e kaluar dheb ta kthejnë vendin prapa në rrugën evropiane. Shtyrja e zgjedhjeve duhet të shoqërohet me proces reformues kredibil. partitë kanë përgjegjësi t’i zbatojnë kushtet e domosdoshme dhe të sigurojnë se zgjedhjet do të jenë sipas standardeve ndërkombëtare”, ceket në kumtesën nga MPJ-ja gjermane.

Berlini, gjithashtu, porositë se është me rëndësi urgjentisht të tërhiqet vendimi për amnisti të një numri të madh të politikanëve, i miratuar në prill.

“Akuzimet për keqpërdorim të fuqisë duhet të hulumtohen me qëllim që të kthehet besimi i qytetarëve të Maqedonisë në institucionet demokratike të vendit. prokurorja speciale duhet ta vazhdojë punën e vet pa kurrfarë pengesash”, ceket në kumtesë.

Më pas ceket se i dërguari i posaçëm gjerman, Johanes Hajndëll është në Maqedoni në një raund të ri bisedimesh me përfaqësuesit partiak dhe shtetëror me qëllim që t’i japë mbështetje atij procesi që po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me BE-në dhe SHBA-në.

Me kumtesë të përbashkët për gjendjen në Maqedoni mbrëmë dolën edhe tre europarlamentarët, Riçard Houit, Ivo Vajgëll dhe Eduard Kukan, të cilët së bashku me eurokomisarin Han ndërmjetësuan në arritjen e marrëveshjes së Përzhinës. Tre europarlamentarët shprehëpn shqetësim për shkak të mossuksesit të katër partive politike në Maqedoni për ta arritur marrëveshjen e përbashkët për tejkalimin e krizës politike, e mcila, siç cekin, kërcënon të çojë drejt dështimit të ,plotë të marrëveshjes së Përzhinës dhe do të thotë kthim serioz i shqetësimit rreth sundimit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësisë dhe mediumeve, ndërsa seriozisht kërcënohet edhe rruga euroatlantike e vendit.

Sipas Houit, Vajgëll dhe Kukan, marrëveshja e Përzhinës – dialogu politik në Parlament, llogari dhënie dhe reformat janë të nevojshme për zbatimin e zgjedhjeve, mbeten mënyra më e mirë për lëvizjen e vendit për dalje nga kriza aktuale. Ata theksojnë edhe se vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për falje të politikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre paraqet shkelje të së drejtës dhe ndërtimit të demokracisë funksionale. Houit, Vajgëll dhe Kukan theksojnë edhe se duhet t’i jepet mbështetje e pahamendësuar Prokurorisë speciale publike si segment kryesor i Marrëveshjes së Përzhinës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button