Bojkoti nuk sjell asgjë për shqiptarët!

Analistët vlerësojnë se me bojkotin e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni, shqiptarët nuk do të humbin por edhe nuk do të fitojnë asgjë. Ata thonë se problemi nuk zgjidhet me bojkot por me ndryshime në Kushtetutë.

Analisti Sefer Tahiri mendon se debati mbi zgjedhjet presidenciale, është i imponuar nga politika dhe i akceptuar nga mediat, kryesisht ata që mbështesin pushtetin. 

“Në thelb konsideroj se nuk ka nevojë kaq energji debati dhe potencial politik të shpenzohet lidhur me zgjedhjen e presidentit, kur dihet mirëfilli se në sistemin politik të Maqedonisë, ai ka funksion ceremonial, ose thënë ndryshe është ‘mbretëreshë angleze’, meqë nuk ka kompetenca të mëdha. Mendoj se nuk duhet të diskutohet sa i përket bojkotit, sepse vetë fakti që nuk ka gatishmëri nga pala maqedonase të bisedohet për këtë çështje, tregon qartë se bojkoti është zgjidhja e vetme, por të jetë bojkot qytetar e jo i imponuar nga partitë, të cilat për hesape të tyre i japin krah dhe vota kandidatit të partisë në pushtet. Nuk humbin gjë nga bojkoti, e as nuk fitojnë nga pjesëmarrja”, tha për Portalb, Tahiri.

Po ashtu edhe analisti Albert Musliu vlerëson se bojkoti i zgjedhjeve presidenciale nuk është zgjidhje e përfaqësimit të shqiptarëve.

“Nëse bojkotohen zgjedhjet presidenciale, sërish presidenti i cili do të zgjidhet do jetë vetëm i maqedonasve dhe jo edhe i shqiptarëve. Për të zgjidhur këtë problem duhet të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së presidentit, që do të thotë të bëhen ndryshime të ligjit për zgjedhjen dhe në këtë rast do të kishte ndryshime në përfaqësim”, tha për Portalb, Musliu.

Ai shton se mjaft ka pasur eksperiencë të keqe me këtë mënyrë të zgjedhjeve presidenciale, andaj sugjeron ndryshim të këtij procesi.

“Bojkot koti” me këtë titull dhe publicisti Ramadan Ramadani në kolumnën e tij të përjavshme shpreh qëndrimin e tij se shqiptarët me bojkot nuk arrijnë asgjë.

“Kërcënimi me dhe aplikimi i bojkotit nuk bën asgjë në këtë rast dhe rrezikon të jetë vetëm një qëndrim pa ndonjë efekt politik. Kjo pasi radhën e kaluar, edhe me votat e njërës parti shqiptare u ul censusi i nevojshëm për këto zgjedhje dhe ai tani është në masën e arritshme me vetëm 40% të votuesve. Në rast se edhe opozita maqedonase ka kandidat dhe i njëjti vazhdon të garojë edhe në rrethin e dytë, kërcënimi për bojkot nga ana e partive shqiptare mund që mos të ketë aspak efekt. “shkruan mes tjerash, Ramadani.

Por a varet kushtetueshmëria e presidentit të ardhshëm nga (mos)dalja e shqiptarëve mbetet të shohim a do të plotësohet censusi nëse nuk dalin shqiptarët në votime?

Ndërkaq partia shqiptare në pushtet BDI-ja është duke shqyrtuar mos pjesëmarrjen në të gjitha zgjedhjet e ardhshme presidenciale, nëse VMRO-ja refuzon idenë për kandidat konsenzual. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button