Federata e Karatesë i bëri pritje kampionit Berat Jakupi

Sot ka arritur në Shkup ekspedita e Federatës së Karatesë së Maqedonisë, me në krye kampionin e vjetër dhe të ri Berat Jakupi, ndërsa në mënyrë solemne para medieve Federata ka organizuar pritje për reprezentacionin e cila kthehet me një sukses të lakmueshëm nga Portugalia.

Nga vendi ku Berat Jakupi para nisjes për në Lisbonë paralajmëroi se do të kthehet me medalje evropiane, me falënderim të veçantë për të gjitha mediat dhe trajnerin që i mundësuan përgatitje dhe prezantim sa më të mirë, ka potencuar edhe një herë se kjo medalje ari dhe ky titull janë shumë të veçanta, duke e ditur se për herë të fundit ai ka garuar në kategorinë U-21.

“Jam shumë kënaqur që arrita ta mbroj titullin në paraqitjen time të fundit në kategorinë e juniorëve. Ky sukses nuk ishte i rastësishëm, pasi kohë të gjatë kam punuar që ta arrij këtë, kuptohet nën udhëheqjen e stafit të trajnerëve dhe trajnerit tim Arlind Huseini. Nga luftërat që i zhvillova, të gjitha ishin interesante, por do të kisha veçuar luftën kundër karateistit slloven Jus Markaç, nga i cili në vitin 2010 e humba meçin. Ndërsa, në Lisbonë iu hakmora dhe arrita ta mposht njësoj sikurse ai që më mposhti në vitin 2010”, deklaroi Jakupi. 

(Gazetarët shqiptarë foto të përbashkët me Berat Jakupi dhe Arlind Huseini)

Edhe trajneri Arlind Huseini ka thënë se është kënaqësi që ai si trajner dhe seleksionues i Maqedonisë kishte në karatistë si Berat Jakupi, duke thënë se së bashku shënuan historinë. “Për mua si trajner i Beratit ky sukses paraqet kënaqësi të madhe. Në këtë Evropian në pjesën taktike tregoi pjekuri dhe në të gjitha ndeshjet ishte superior. Të fitosh ndaj garuesve siç i ka Franca, Serbia dhe kundër një super talenti siç është slloveni Jus Markaç, një talent i rrallë në karate dhe mos të flasim edhe për luftën finale kundër garuesit nikoqir të këtij evropiani, të cilit nuk i la fare hapësirë, vërtetë është për çdo lëvdatë. Shpresojmë se sukseset nuk do të mungojnë edhe në kategorinë e seniorëve”, tha Huseini.

Ekspedita e reprezentacionit të Maqedonisë në karate, fundjavën që e lamë pas morri pjesë në Kampionatin Evropian, i cili u mbajt në Lisbonë të Portugalisë, e ku kishte 35 garues, 30 në luftë dhe 5 në KATA. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button