Zbulimi i krimit u rrit me 92 % gjatë janarit

Policia shqiptare bëri të ditur se gjatë janarit ka zbuluar 92 për qind të krimeve kundër personit dhe ka arrestuar apo ndaluar 860 persona që janë shpallur në kërkim, persona nga veprat e krimit të organizuar dhe për shkelje në trafikun rrugor. Statistikat zyrtare të janarit tregojnë se policia ka denoncuar 130 persona për korrupsion dhe trafiqe të paligjshme, gjithashtu ka vendosur po ashtu gati 50 mijë gjoba për shkeljet në qarkullimin rrugor, bën të ditur “Zëri i Amerikës”. 

Vetëm gjatë janarit policia ka kryer 32 operacione kundër grupeve kriminale, duke filluar nga grupi që kryente atentate të porositura me lëndë eksplozive, goditja e kontrabandës së njerëzve dhe mallrave në dogana, goditja e korrupsionit në mjekësi dhe një mori operacionesh kundër narkotikëve. 

Krahasuar me janarin e një viti më parë kriminaliteti u rrit ndjeshëm kryesisht me vjedhjet dhe abuzimet financiare, si dhe me shkeljet në trafikun rrugor. Megjithatë është rritur edhe shkalla e zbulimit. Qytetet më problematikë me kriminalitetin gjatë këtij muaji kanë qenë Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Fieri. Por, Lezha mban nivelin më të lartë të krimeve në raport me numrin e popullsisë, krahas Tiranës dhe Gjirokastrës. 

Gjatë janarit ndodhën 3 krime në orë ose gjithsej 2 mijë e 700 vepra penale. Rreth gjysmën e krimeve e kanë bërë persona të moshave 25-45 vjeç, pjesa më e madhe e tyre me arsim 9-vjeçar. Statistikat policore pohojnë se, brenda muajit u kryen 11 vrasje, 8 prej tyre janë zbardhur, 6 autorë janë arrestuar dhe dy janë në kërkim. Një tjetër operacion me rëndësi gjatë kësaj periudhe ishte edhe kapja e një të shumëkërkuari, të arratisur nga burgjet greke. 

Policia ka ndërhyrë në 277 raste të dhunës në familje, duke nxjerrë 164 urdhra mbrojtje për gratë. Po ashtu ndërhyri në 82 ndërtime pa leje dhe 15 raste në prerje të pyjeve. Janë arrestuar 71 veta me armëmbajtje pa leje dhe janë mbledhur duzina armë zjarri e municione. Një kapitull më vete është lufta kundër narkotikëve, ku janë kanë dhjetëra mijë kg bimë narkotike në 23 operacione kryesisht në jug të vendit./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button