Hahn: Kosova ka nevojë për unitet në procesin e integrimit evropian

Komisioneri evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, njoftoi se është dakorduar për një grup të përbashkët koordinues BE- Kosovë i cili do të merret me krijimin e një ambienti për zhvillim ekonomik të vendit.

Në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Isa Mustafa, ai theksoi domosdoshmërinë për sundimin e fortë të së drejtës, në mënyrë që të tërhiqen investitorë të jashtëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai nënvizoi se bizneset kosovare duhet të shfrytëzojnë periudhën transitore të zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për tu ambientuar më mirë me tregun evropian.

“Nëse keni qasje në tregun evropian në shumë raste kjo nënkupton qasje në tregun global që paraqet një element vendimtar”, tha Han. Ai ka shprehur bindjen se institucionet evropiane, Parlamenti dhe Këshilli i Evropës, do të shndërrojnë rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave në vepër konkrete, për të shtuar se për këtë nevojitet bashkëpunimi edhe i qytetarëve.

Hahn tha se nevojitet që sa më parë të zgjidhet çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ndërkohë që njoftoi për një takim edhe me opozitën kosovare e cila kundërshton marrëveshjen e lartpërmendur, sepse siç tha Hahn në shumë sfera kërkohet votimi me dy të tretat.

Kryeministri Isa Mustafa tha se MSA-ja sjellë shumë të mira për Kosovën dhe konfirmon perspektivën evropiane të vendit.

“Marrëveshja ofron mundësi të veçanta për reforma në të gjitha sferat, reforma të cilat ne i kemi filluar, të cilat do të zbatohen shumë më lehtë me ndihmën e BE-së. Kjo marrëveshje na bën të mundur të marrim pjesë në tregun e madh me mbi 500 milionë banorë dhe qasje te fondet IPA të cilat janë të rëndësishme për ta përgatitur Kosovën për procesin integrues”,- tha Mustafa.

Lidhur me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Mustafa tha se Kosova nuk ka asnjë problem me Malin e Zi dhe se duhet pranuar vlerësimi i komisionit ndërkombëtar dhe ekspertëve të SHBA-ve të cilët dhanë vlerësim pozitiv për këtë çështje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button