“Qeveria ruse sillet njëlloj sikurse qeveria sovjetike e cila e dëboi popullin tatar ”

Kryetari i Kuvendit Kombëtar Tatar të Krimesë dhe njëherazi edhe deputet i Ukrainës, Refat Çubarov, tha se qeveria ruse po sillet njëlloj sikurse qeveria sovjetike e cila e dëboi popullin tatar nga gadishulli në vitin 1944, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin të cilin e mbajti në mbledhjen me temë rreth syrgjynosjes së vitit 1944 dhe rreziqeve të pushtimit në vitin 2014, Çubarov shpalosi të dhëna në lidhje me zhvillimet e fundit në Krime.

Duke theksuar se qeveria ruse është mobilizuar për pastrimin e popullatës tatare të Krimesë pas pushtimit të saj, Çubarov u shpreh se “Qeveria ruse po sillet njëlloj sikurse qeveria sovjetike e cila e dëboi popullin tatar nga gadishulli në vitin 1944. 18 tatarë të Krimesë aktualisht gjenden në burg. 14 prej këtyre fajësohen për terrorizëm. Kjo listë do të rritet në ditët në vijim.”

Çubarov gjithashtu tërhoqi vëmendje se qeveria ruse po përpiqet ta mashtrojë Evropën duke shfaqur një tabllo tjetër. “Kjo qeveri okupuese po bën të pamundurën që t’i mashtrojë evropianët duke vizatuar një tabllo tjetër. Shfaqen gjoja se po zhvillojnë luftë me terroristë të trilluar, e jo me popullin tatar të Krimesë. Qëllimet e tyre janë të njëjta me ato të periudhës së Stalinit, pra, pastrimi i tatarëve të Krimesë nga gadishulli duke ushtruar shtypje. Vetëm se tani këtë e bëjnë me metodë hibride. Duke ushtruar shtypje, dëshirojnë që ta detyrojnë popullin tatar të Krimesë t’i braktisin tokat e tyre”,- u shpreh Çubarov.

Çubarov gjithashtu theksoi se qeveria ruse, njëlloj sikurse në Kaukaz, po përpiqet që me aktivitete të ndryshme ta armiqësojë popullin e Krimesë mes vete, duke shtuar më tej se po punohet për krijimin e një njësiti të veçantë ushtarak që do të përbëhet nga tatarë të Krimesë.

“Fëmijët dhe të rinjtë tanë po i dërgojnë në institucione për trajnim ushtarak me qëllim që të dalin kundër popullit të vet. Sipas të dhënave që i posedojmë, 14 të rinj tatarë të Krimesë janë zgjedhur për trajnim të lartë në Shërbimin Federal Rus të Sigurisë”,- tha Çubarov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button