Rritet agresiviteti te të rinjtë, policia mohon

Pohime kontradiktore paraqiten nga policia dhe nga psikologë të shkollave sa i përket delikuencës së të rinjve. Rastet e dhunës që i shohim me të madhe kohëve të fundit nëpër autobusë kryesisht nga të rinjtë, për policinë paraqesin shifra të zvogëluara të dhunës.

Por sipas psikologes së gjimnazit “Zef Lush Marku”, Engjëllushe Limani, agresiviteti i nxënësve në shkollat e mesme është duke u rritur në mënyrë drastike.

“Gjendja momentale është shumë brengosëse, sepse numri i nxënësve problematik, të cilët shfaqin edhe shenja agresiviteti shkon duke u rritur dukshëm. Është shqetësues fakti se këta fëmijë nesër mund të devijojnë dhe të shndërrohen në delikuent”, tha Limani.

Ndryshe mendon Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), e cila na dha sisa statistika duke vënë theksin në atë se numri i delikuenteve të rinj është në rënie viteve të fundit.
Sipas statistikave të tyre , në vitin 2011 ishin të regjistruar 1829 delikuent, ne vitin 2012 janë regjistruar 1555 raste dhe ne vitin 2013 deri në muajin shtator, janë regjistruar 1094 delikuent të rinj.

“Numri është në rënie dhe kjo falë bashkëpunimit që kemi me shkollat nëpërmjet projekteve të ndryshme të cilat realizohen më qëllim që të përmirësohet sjellja e nxënësve”, tha Zemri Qamili, zëvendës ministër në MPB.

Por realisht, psikologija Limani tha se këto projekte me Sektorin për parandalimin e Delikuencës pranë MPB janë vetëm formale dhe pothuajse fare funksionale.

“Ka projekte nga ana e MPB-së gjegjësisht nga Sektori për parandalimin e Delikuencës, por megjithatë ato projekte janë shumë formale dhe pothuajse nuk funksionojnë fare. Po ashtu nuk ka asgjë edhe na Qendra Sociale e cila duhet të ketë parasysh këto dukuri që po shpeshtohen në shkolla e sidomos në ato të mesme”, shtoi Limani.

Ajo identifikoi disa arsye të paraqitjes së sjelljes agresive te të rinjtë: qasja e tepërt në internet dhe e pakufizuar në atë se çka mund të shikohet e çka jo, problemet familjare pasqyrohen te të rinjtë, kujdesi i paktë dhe sjellja neglizhente e mësimdhënësve.

Të rinjtë e dhunshëm pasi kapen nga policia zakonisht duhet të dërgohen nëpër Qendra për rehabilitim. Duhet rikujtuar se policia ende nuk i ka kapur të gjithë fajtorët e incidenteve në autobusët e Shkupit.

Kontaktuam Qendrën “25 Maji”, në Shkup” ata na thanë se numri i fëmijëve që sillen në rehabilitim është 40 deri në 45 dhe për momentin numri i fëmijëve që ndodhen te ata është 35.

“Me fëmijët punojnë pedagogët, psikologët madje edhe defektologët të cilët mësojnë ata si të sillen, ta dallojnë të mirën nga e keqja e kështu me radhë. Numri i fëmijëve në këtë qendër shkon duke u zvogëluar”, tha Stevçe Sokolovski, drejtor.

Ai shtoi se jo gjithë fëmijët që pranohen aty janë delikuent, disa nga ata janë që kanë bërë vjedhje të vogla, por ai shpreh optimizëm të madh që gjërat e tilla fëmijët nuk do t’i përsërisin kur të dalin nga kjo qendër.

Lajme të ngjashme

Back to top button