Venezuelë, Maduro, dekret për çmimin e mjeteve

Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, ka nënshkruar një dekret, me anë të të cilit kontrollon çmimet e makinave të reja dhe atyre të përdorura.

Mjetet e reja janë aktualisht të vështira për t’u gjetur, ndaj dhe venezuelianët zakonisht paguajnë çmime shumë të larta për një makinë të përdorur.

Maduro, i cili më herët kishte ligjëruar çmimet e pajisjeve elektronike, lodrave dhe veshjeve, ka akuzuar bandat kriminale se kanë krijuar çmime të larta artificiale, në tregun e mjeteve të përdorura. Ligji i ri thotë se mjetet e vjetra nuk mund të shiten me çmime më të larta se mjetet e reja.

Më shumë detaje do të jepen kur ligji, më saktë dekreti numër 625, të publikohet të enjten.

Njerëzve “do t’u ndalohet qartësisht spekulimi mbi çmimet e mjeteve të dorës së dytë, si të ishin duke shitur mjete të reja”, tha Maduro për Agjencinë shtetërore Venezueliane të Lajmeve.

Ata që do të shkelin ligjin e ri do të përballen me burgim nga 6 deri në 12 vjet, shtoi Maduro.

Qeveria shpreson që këto rregullime ligjore të pengojnë shtegun e përdorur nga venezuelianët për t’u ruajtur nga një vend me normën e inflacionit ndër më të mëdhatë në botë, me 21,1% në vitin 2012.

Por, kritikët thonë se ndërhyrja e qeverisë do të inkurajojë tregun e zi. Ata fajësojnë politikat e majta të qeverisë për t’i mbajtur larg investimet e huaja dhe për të dëmtuar ekonominë.

Maduro u zgjodh në mars, me një diferencë të ngushtë votash, duke pasuar presidentin e ndarë nga jeta, Hugo Chavez, i cili ndërroi jetë nga kanceri pas 14 vitesh në pushtet.

Muajin e kaluar, Maduro kërkoi fuqi speciale për të ushtruar pushtetin nëpërmjet dekreteve për 1 vit, në mënyrë që të zgjidhte krizën ekonomike të vendit. Ky është dekreti i tretë i nënshkruar prej tij, që kur mori fuqitë speciale.

Lajme të ngjashme

Back to top button