Shuhet Lidhja e Nxënësve Shqiptarë

Organizata Joqeveritare” Lidhja e Nxënësve Shqiptarë (LNSH)”, e cila u formua në vitin 2010 si duket pushoi së vepruari. 

Aktiviteti i fundit i kësaj Lidhje ishte në vitin e kaluar, po ashtu edhe ueb faqja e saj tani më është jo funksionale.

Përgjegjësi i gjimnazit “Zef Lush Marku”, Bedri Gjureci bën të ditur se nuk ka dëgjuar moti për LNSH-në dhe se momentalisht në këtë shkollë të mesme ekziston vetëm Kryesia e nxënësve.

“Nuk e di se a është ende aktive LNSH-ja dhe nuk ka informacion që ka ndonjë lidhje të nxënësve e cila përfshin gjithë nxënësit e shkollave të mesme. Tek ne ekziston kryesia e nxënësve por që ajo nuk ka lidhje me shkollat tjera”, tha Gjureci.

Ndërkaq kohë më parë Forumi Rinor Arsimor publikoi një hulumtim në të cilin thuhet se shumica e nxënësve të shkollave të mesme nuk dinë për unionet e nxënësve si dhe nuk janë pjesë e tyre.

“70 për qind nga nxënësit e anketuar nuk janë të njoftuar se ka unione apo lidhje të nxënësve, 81 për qind nuk kanë marrë pjesë në një organizatë të tillë. Dhe këto rezultate janë negative ngase vërehet se nxënësit nuk kanë qasje ne vendim marrje për ndonjë gjë në shkollën e tyre”, thuhet në këtë hulumtim.

Ky hulumtim u realizua nga muaji janar deri në muajin mars në 13 qytete te Maqedonisë edhe atë në Shtip, Dellçevë, Kratovë, Negotinë, Gjevgjeli, Kërçovë, Veles, Strumicë, Prespë, Dibër, Strugë, Tetovë dhe Shkup. U anketuan 72 nxënës të gjinisë mashkullore dhe 83 nxënëse të gjinisë femërore, 19 kryetarë të klasave dhe 5 kryetarë të unioneve shkollore. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button