Shkup, “BE Mëngjes” me rastin e Ditës së Evropës

Me rastin e Ditës së Evropës, Sekretariati për Çështje Evropiane, në Klubin e deputetëve në Shkup, organizoi “BE Mëngjes” me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe ish-zëvendës-kryeministrat për çështje evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin hyrës euroambasadori Aivo Orav porositi se kriza politike në Maqedoni është zgjatur shumë dhe nuk ka kohë për të humbur, sepse siç u shpreh, mbeten edhe shumë punë për t’u bërë.

“Vendi juaj është rast special. BE-ja tashmë ka rekomanduar gjashtë herë e gjysmë për t’i filluar negociatat për anëtarësim, por për fat të keq nuk kemi mundësi ta bëjmë atë. Tani duhet shumë seriozisht të mendojmë se çka do të bëjmë me këtë gjysmë të rekomandimit dhe si të qasemi. Për fat të keq, mbetet edhe shumë punë për t’u bërë. Kjo krizë politike është duke zgjatur shumë”, tha Orav.

Sipas tij, marrëveshja e Përzhinës e vitit të kaluar ishte një shpresë për qytetarët e këtij vendi dhe për bashkësinë ndërkombëtare, por për fat të keq, siç u shpreh, fjalët që e përshkruajnë më së miri vitin e kaluar janë obstruksione, anulime dhe moszbatim.

“Muajin e kaluar e pamë edhe vet majën e ajsbergut kur u mor vendimi për abolim. Nuk ka kohë për të humbur. Vendime të vështira dhe serioze duhet të merren sot, nesër prej atyre që janë përgjegjës për situatën, ashtu që së bashku të shkojmë para. BE-ja është këtu nëse ju nevojitet ndihma jonë. Ne në BE po ashtu shumë shpresojmë se kjo krizë do të lihet prapa nesh dhe se do t’i fillojmë negociatat me ju kur kjo të jetë e mundur”, shtoi Orav.

Për zëvendës-kryeministrin Arbër Ademi, është fakt se Maqedonia më së gjati implementon axhendën e BE-së prej të gjitha vendeve në rajon, duke shtuar se është e pamundur që të fshihet fakti se vendi gjendet në krizë komplekse e cila është e paqëndrueshme.

“Përgjegjësia jonë si politikanë është sa më shpejtë të gjejmë dalje nga kriza politike dhe të kthehemi në rrugën e integrimit në BE. Nuk ka alternativë tjetër për ardhmërinë tonë evropiane nga mbajtja e zgjedhjeve të besueshme dhe rezultate të pranuara gjerësisht, si dhe në implemtimin e mëtejshëm agresiv të prioriteteve të ardhshme reformuese me çka do ta sigurojmë mbajtjen e rekomandimit të kushtëzuar të KE-së”, deklaroi Ademi.

Në BE-Mëngjesin e sotëm tradicional morën pjesë edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Poposki, ish-zëvendës-kryeministrat për Eurointegrime Fatmir Besimi, Radmilla Sheqerinska, Teuta Arifi, Arbër Ademi, si dhe përfaqësuesit e OKB-së, NATO-s dhe OSBE-së në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button