VMRO-DPMNE vet në zgjedhje, apo do të anulohen?

“Deri në këto momente KSHZ vepron në bazë të kalendarit dhe Kodit zgjedhor. Derisa ne nuk kemi akt juridik që të prolongohen zgjedhjet do të thotë ne jemi të obliguar të respektojmë afatet kalendarike”. Kështu është shprehur për Portalb Subhi Jakupi nga Komisioni shtetëror zgjedhor.

Deri sonte në mesnatë, 11 maj, është afati i dorëzimit të listave për deputetë nga partitë politike.

Portalb shtron çështjen, çka nëse asnjëra nga partitë nuk dorëzon listat për deputetë në KSHZ, ose si do të veprohet nëse vetëm VMRO-DPMNE dorëzon listat për deputetë në KSHZ? Sikur rasti i fundit për paraqitjen e listave për anëtarë të Kuvendeve Zgjedhore Komunale kur vetëm VMRO-DPMNE dorëzoi të njëjtat.

“Deri tash nuk kemi pas praktikë të mos- dorëzimit të listave. Nëse nuk ka dorëzim të listave ora 24, atëherë KSHZ ditën tjetër duhet të mbajë mbledhje dhe të konstatojë se nuk ka kandidatura dhe nëse ndodh ajo që nuk ka kandidatura ne e njoftojmë kryetarin e Parlamentit nuk mund të zhvillohen zgjedhjet më 5 qershor, sepse nuk kemi kandidaturë. Kjo është hipotetikisht, sepse nuk kemi pasur kësi rasti deri më tash, po besoj se kështu duhet të veprojë KSHZ-ja”, deklaroi për Portalb Jakupi.

Megjithatë, sipas tij, nëse VMRO-DPMNE dorëzon listën për deputetë deri në afatin e paraparë, atëherë shkohet në zgjedhje më 5 qershor.

Profesori universitar Mersel Bilalli, mos-tërheqjen e VMRO-DPMNE-së nga data e 5 qershorit, edhe kur partitë tjera janë shprehur kundër kësaj date, e cilëson si taktikë për pozicion të partisë në këto bisedime.

“Ajo qëllimisht e bën këtë. Presioni duhet të shtohet nga faktori ndërkombëtarë. E bën që të ketë pozicion. E bën për të pasur diçka që të ndërron, si koncesion dhe të merr diçka, t’i tolerohet diçka. Për atë edhe faktori i jashtëm nuk e trajton si serioze qëndrimin e VMRO-DPMNE-së”, tha për Portalb Bilalli.

Për momentin në mes faktorit ndërkombëtar dhe partive politike po zhvillohen bisedime për dalje nga kriza, e që njëra prej parakushteve është edhe anulimi i zgjedhjeve.

Ndryshe, deri në fund të javës pritet që në vend të arrijë edhe përfaqësuesi special Johanes Hajndëll.

“Ai do të punojë bashkë me KE-në, SHBA-të dhe të gjithë të tjerët që janë të interesuar për zbutjen e situatës së brendshme politike në Maqedoni. Parimisht do të zhvillojë konsultime të domosdoshme e më pas do ta vizitojë Shkupin”, tha Martin Shefer, zëdhënës MPJ Gjermani./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button