Vetëvendosje përkrahë protestën e nesërme në Shkup

Lëvizja Vetëvendosje përkrah protestën që është paralajmëruar të mbahet nesër në Shkup nga Këshilli Opozitar.

Në një postim në rrjetin social facebook, thonë se kjo protestë është shprehje e përbashkët e organizimeve të ndryshme qytetare shqiptare në Maqedoni, dhe adreson problematikat shqetësuese që ka krijuar pabarazia etnike të cilën tash e shumë vjet e përjetojnë shqiptarët në Maqedoni.

“Lëvizja Vetëvendosje përkrah secilin organizim të përbashkët të shqiptarëve në Maqedoni që i kundërvihet politikave diskriminuese që kanë prodhuar qeverisjet e deritanishme të Gruevskit dhe aleatëve të vet”, është shkruar në njoftim.

Sipas tyre, Maqedoni nuk mund të ketë stabilitet, në kurriz të shqiptarëve, andaj sipas tyre, e vetmja mënyrë që Maqedonia të mbijetojë, është pranimi i shqiptarëve si popull tërësisht i barabartë, në të drejta qytetare dhe kombëtare.

“Shqiptarëve duhet t’u lejohet të kenë institucionet e tyre, në secilin sektor e segment, në secilë n fushë të shtetformimit, të politikëbërjes, të krijimit kulturor dhe të prodhimit ekonomik. Shpresojmë që bashkimi i shqiptarëve në protestën e datës 9 maj, të çelë një perspektivë të re, emancipuese për shqiptarët e Maqedonisë. Një perspektivë që duhet t’i japë fund pabarazisë”, thuhet në njoftimin e postuar në rrjetin social facebook.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button