Wohlers: Me krenari e quajmë Maqedoninë aleat

Në njëzet vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Maqedonisë, u rikonfirmua miqësia dhe partneriteti i fuqishëm i të dyja vendeve. Në evenimentin e organizuar nga Ambasada e SHBA-së në Shkup, ambasadori Paul Wohlers, afirmoi politikat mbështetëse të SHBA-ve për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit, konsolidim demokratik të tij si dhe procesit të integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë.

“Që nga dita e parë deri më sot, misioni ynë nuk ka ndryshuar. Ne me krenari e quajmë Maqedoninë mik dhe aleat dhe dëshirojmë të shohim këtë vend të jashtëzakonshëm të arrijë potencialin e tij të plotë si një demokraci e fuqishme, dinamike dhe  përparimtare, plotësisht e integruar në komunitetin euro-atlantik ne shohim drejt ardhmërisë si partnerë, duke krijuar vision për atë se ku dëshirojmë të jemi dhe çfarë mund të arrijmë së bashku. Partneriteti ynë sot është dinamik, energjik dhe i përqendruar në të ardhmen dhe nuk dyshoj aspak që kjo do të vazhdojë edhe për shumë vite të tjera. Ashtu siç kemi qëndruar së bashku në të kaluarën, dhe po qëndrojmë së bashku tani, ashtu do të jemi edhe në të ardhmen” , deklaroi Paul Wohlers, ambasador i SHBA-së në Maqedoni.

Përpara politikanëve dhe figurave të rëndësishme nga të gjitha segmentet e shoqërisë, Wohlers vuri në pah mbështetjen e SHBA-ve në përforcimin e zbatimit të ligjit, bujqësisë, arsimit, shoqërisë civile dhe të shumë fushave të tjera.  SHBA-ja që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë më 3 dhjetor 1993, ka siguruar ndihmë në vlerë prej më tepër se 1 miliard dollarë për Maqedoninë. Në solemnitetin e sontëm morën pjesë figura të rëndësishme nga jeta politike dhe shoqërore, ndërkohë që gjatë fjalimit të ambasadorit amerikan Poll Uollers, përveç kryeparlamentarit Trajko Veljanovski, nuk ishte i pranishëm asnjë zyrtar i partisë në pushtet, VMRO DPMNE-së. / Alsat – M

Lajme të ngjashme

Back to top button