Gjatë ditës polic, në mbrëmje gjyqtar hendbolli
Eshref Beqiri po e shikonte orën për të llogaritur se edhe sa orë i kishin mbetur për ta hequr uniformën e policit dhe për të veshur atë të gjyqtarit. Ai kishte edhe katër orë punë për t’u kujdesur për qytetarët e Kosovës, përkatësisht të Prishtinës, ku edhe punon si mbikëqyrës i policisë reaguese në shërbim të qytetarit.
Pas orarit të punës si toger, të enjten do t’i mbeteshin edhe katër orë për të pushuar e më pas të kujdesej si gjyqtar që ndeshja gjysmëfinale e Kupës së Kosovës në hendboll Prishtina – Besa Famiglia të kalonte në mënyrë të mirë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Në orën 15:00 e përfundoj orarin si polic, kurse në orën 19:00 e kam ndeshjen. Por mund të pushoj psikikisht”, thotë Beqiri.
Por, për Beqirin dita e enjte nuk ishte e vetmja që duhej pas orarit të punës si polic të bëhej gati për atë të gjyqtarit.
“Disa herë më ka ndodhur që paradite kam qenë me uniformë të policit e pasdite me atë të gjyqtarit të hendbollit”, tregon Beqiri.