PDSH shprehin shqetësimet para Robert Valter

Deputeti dhe Koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së Imer Aliu ka takuar sot Raportuesin e Komisionit për respektimin e obligimeve dhe angazhimeve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, Robert Valter.

-Kisha kënaqësinë që të pres në takim raportuesin e këshillit të Evropës për Maqedoninë, i cili është një nga njohësit më të mirë ndërkombëtarë të situatës në Maqedoni. 

E informova raportuesin e Këshillit të Evropës për situatën aktuale politike në vend, shprehëm shqetësimin tonë për rrjedhën e procesit integrues të Maqedonisë në BE, sigurisht me fajin e kësaj Qeverie, diskutuam hapur për çështjet që i tangojnë shqiptarët dhe që PDSH në vazhdimësi i ngre si tema me rëndësi për shqiptarët, diskriminimin që u bëhet në ndarjen e buxhetit, i cili është aktual, mospasjen e drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare dhe çështje tjera me rëndësi për shqiptarët, tha Aliu. 

Ai tha se janë dakorduar se çështje jetësore për Maqedoninë është integrimi i Maqedonisë në BE, dhe siç tha, -nga ana jonë u përshëndet vendimi i Këshillit të Evropës për hapjen e zyrës në Maqedoni, që paraqet një ngjarje me rëndësi në veçanti për opozitën shqiptare, pasi që do të jetë një mundësi shumë e mirë që ne të kemi një adresë ku do ti adresojmë problemet e shqiptarëve të cilat në vazhdimësi dhe për çdo ditë po ndodhin në Maqedoni. 

Hapja e zyrës të Këshillit të Evropës në Maqedoni, në anën tjetër tregon ngecjen serioze që kanë proceset demokratike në Maqedoni, si pasojë e politikës së kësaj Qeverie e cila për çdo ditë po i dëmton shqiptarët, ka thënë deputeti i PDSH-së Imer Aliu.

Lajme të ngjashme

Back to top button