Befasi të mëdha në zgjedhjet lokale në Kosovë

Në 25 komuna të Kosovës ku u zhvilluan zgjedhje bolotazhi për kryetar komunash. Pjesmarrja në votime ishte 40.02 %. Nga 1.377.000 votues sa kishin të drejtë vote. Procesi i zgjedhjeve kaloi pa ndonjë incident serioz.

Në Kosovë u zhvillua procesi i votimit në balotazh për kryetar bashkie në 25 komuna. Zyrtarë të KQZ-së bëjnë me dije se në të gjitha rajonet e Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit, procesi i zgjedhjeve u zhvillua i qetë pa ndonjë incident serioz që do ta dëmtonte procesin e zgjedhjeve. Kryetarja e KQZ-ve, Valdete Daka, njoftoi në një konferencë për media se “pjesmarrja në zgjedhje ishte, 40.02 %, nga 1.370.00 mijë qytetar sa kishin të drejtë vote në këto 25 komuna”.
Befasitë e mëdha

Isa Mustafa ka humbur në Prishtinë?
KQZ, partitë politike dhe organizatat joqeveritare kanë dalur edhe me disa prognoza të cilat parashikojnë mundësinë e disa befasive shumë të mëdha. Sipas rezultateve jo të plota, në Prishtinë është në epërsi kandidati i lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti ndaj kundërkandidatit të tij, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Vetëvendosja tani më e ka shpallur fitoren në Prishtinë.Ndërkohë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka pranuar se “paria e tij nuk shënuar rezultate të mira në Prishtinë”, ndonëse nuk e pranoi humbjen përfundimtare. Sipas tij, LDK ka “dalur partia më e madhe në nivel nacional”, por jo edhe në kryqytet. “Konsideroj se fitorja më e madhe është ky proces zgjedhor”, tha Mustafa. Por edhe Partia Demokratike e Kosovës ka shpallur se ka fituar më së shumti vota në nivel nacional.

Në jug të Mitrovicës është në epërsi kandidati i AKR Agim Bahtiri ndaj kundërkandidatit të tij nga PDK, Avni Kastrati. Befasi mund të ketë edhe në veri të Mitrovicës, ku po zhvillohet një garë kokë më kokë mes Oliver Ivanoviqit dhe kandidatit të listës “Srpska”, Krstimir Pantiq. Rezultatet përfunditmare priten të hënën.

Zgjedhjet në veri të qeta
Në veri të Kosovës, zgjedhjet u lehtësuan nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE. Shefi i këtij misioni në Kosovë, Zhan-Klod Shlumberger, i cili gjatë gjithë ditës së diel ka qëndruar në veri të Kosovës, bënë të ditur se “procesi zgjedhor në këto komuna është zhvilluar i qetë dhe pa incidente”.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në 25 komuna të Kosovës u vëzhgua nga mbi 1600 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. 71 vëzhgues nga Bashkimi Evropian monitoruan procesin e votimit. Ata thanë gjatë ditës se “janë përsëritur disa parregullsi që janë parë edhe në raudin e parë siç janë, votimet familjare, përpjekjet për votim të dyfishtë dhe listat e papastruara të votimeve”.

Pritet vlerësimi i ndërkombëtarëve
Për të siguruar një proces të qetë zgjedhorë, policia e Kosovës kishte angazhuar mbi 5000 policë. Të angazhuar dhe në gjendje gatishmërie ishin edhe policia e misionit EULEX dhe forca paqeruajtëse KFOR, por kësaj radhe nuk kishin nevojë për ndërhyrje.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, konfirmon se “procesi i zgjedhjeve në të gjitha 25 komunat ka qenë i qetë, me përjashtim të disa incidenteve të vogla që nuk kanë ndikuar fare në procesin e votimit”. Incidente nuk ka pasur as në veri të Kosovës”, thotë Baki Kelani, zëdhënës i policisë.

Disa arrestime por pa ndikim në zgjedhje
Ndërkohë, kordinatorja për zgjedhje nga Prokurorja e Shtetit, Laura Pula, bënë të ditur se “janë arrestuar tetë persona për tentim të pengimit të procesit zgjedhor”. 60 prokurorë ishin në detyrë në të gjitha rajonet e Kosovës për të reaguar për çdo shkelje eventuale.
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara, një ditë para balotazhit thanë se “Demokracia funksionon me të vërtetë vetëm atëherë kur njerëzit janë të lirë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të shprehur opinionet e tyre politike individuale, pa ndërhyrje ose kërcënim. Kjo është mënyra më e mirë për ta ndihmuar Kosovën ta mbajë progresin e arritur drejt rrugës së saj evropiane”. / Deutche Welle

Lajme të ngjashme

Back to top button