Aleanca Kruz-Kasiç, shans i fundit për të ndalur Trampin

Për të ndalur Trampin, ai duhet të ndalet javën e ardhshme në Indiana. Mu për këtë Kasiç i ofron ndihmë Kruzit për të fituar në Indiana, ndërsa në këmbim merr mbështetje në Oregon dhe Nju Meksiko.

Prapavija. Dy javë më parë, pas një serie fitoresh të Kruzit, dukej se rruga e Trampit drejt nominimit po bëhej gjithnjë e më e vështirë. Pyetja kryesore që bëhej atëherë ishte nëse Tramp kishte akoma gjasa për të arritur 1237 delegatët e duhur për të fituar që në rrethin e parë, sepse është mëse e sigurtë se nuk mund të fitojë në rundet tjera të konventës, atëherë kur delegatët mund të votojnë kë të duan. E vetmja gjë që shkonte në favor të Trampit ishte se votimet vazhdonin në terren të favorshëm për të, në shtetin e tij amë të Nju Jorkut, e më pas në disa shtete tjera përreth. Për të arritur 1237 delegatë, Tramp duhej patjetër të fitonte dhe të fitonte bindshëm në këto shtete.

Fitore të thella të Trampit. Tramp bëri pikërisht atë që duhej në këto votime të rradhës. Fillimisht ai fitoi Nju Jorkun me rezultat të thellë, duke marrë mbi 60% të votave, hera e parë që merr shumicën e votave në një shtet. Por nëse fitorja e Trampit në Nju Jork ishte e pritur, kanë befasuar rezultatet në pesë shtetet tjera që votuan një javë më pas. Tramp ka marrë mbi 50% të votave në secilin prej tyre, duke tubuar 109 delegatë. Shtoju këtyre 89 delegatët e fituar në Nju Jork dhe delegatët që kishte më herët dhe Tramp ka arritur në total 995 delegatë.

  TrampsDonald-Trump KruzsTed-Cruz KasiçsJohn-Kasich
Nju Jork 60% 15% 25%
Konektikat 58% 12% 28%
Delaver 61% 16% 20%
Merilend 54% 19% 23%
Pensilvania 57% 22% 19%
Roud Ajland 64% 10% 24%
Delegatë total 995 567 153

 

Situata tani. Pas rezultateve të dobëta në verilindje, nga fitorja në rundin e parë matematikisht është eliminuar edhe Ted Kruz. Tani i vetmi që ka gjasa të arrijë shifrën magjike prej 1237 delegatësh është Tramp. Atij i duhen edhe 242 delegatë nga 502 që kanë mbetur të zgjidhen.

502 delegatët e mbetur do të zgjidhen në votimet e mbetura në 10 shtetet e fundit. Dominante gjithsesi është Kalifornia që do të ndajë 172 delegatë. Me peshë më të madhe pastaj janë Nju Xhersi me 51 delegatë që pritet ti fitojë të gjithë Trampi dhe Indiana me 57 delegatë që voton javën e ardhshme. Dhe pikërisht Indiana e cila do t’ia japë thuajse të gjithë delegatët fituesit del si çelësi i enigmës së Trampit. Me fitore në Indiana ai pa problem do të sigurojë shumicën në konventë dhe me këtë nominimin republikan për kryetar. Por nëse humb në Indiana gjasat e Trampit dukshëm minimizohen, sepse do mbeten pak vende ku ai mund të kompenzojë 57 delegatët e saj.

Aleanca Kruz-Kasiç. Për të ndalur Trampit pra është e domosdoshme që ai të ndalet së pari në Indiana. Mu për këtë Kruz dhe Kasiç kanë arritur marrëveshje që mos të pengojnë njëri tjetrin në disa shtete. Më konkretisht Kasiç do t’i ndihmojë Kruzit në Indiana, ndërsa Kruz do t’ia kthejë favorin në Oregon dhe Nju Meksiko. Duke ia mohuar fitoren Trampit në këto vende, dy kandidatët shpresojnë se do t’ia ndalin atij marshin drejt 1237 delegatëve, për t’a mundur më pas në rundet tjera të konventës.

Indiana si shtet është e përafërt me disa shtete tjera të mes-Perëndimit, si Ajova apo Uiskonsin, vende ku Kruz ka shënuar fitore të lehta ndaj Trampit. Natyrshëm pra ajo është territor i Kruzit, ndërsa Kasiç nuk ka aspak gjasa për të fituar. Ajo gjithashtu do t’i japë thuajse të gjithë delegatët fituesit. De fakto pra Kasiç i cili nuk ka asnjë gjasë për të fituar delegatë, ka preferuar që Indianën t’a fitojë Kruz në vend të Trampit. Mu për këtë arsye ajo përbën nyjen kryesore të marrëveshjes dhe do të jetë testi i parë nëse marrëveshja funksionon ose jo.

Dy shtetet tjera, Oregon dhe Nju Meksiko janë më pak të rëndësishme sepse kanë më pak delegatë dhe i ndajën ata proporcionalisht. Pra edhe nëse aty fiton Trampi, fitorja nuk do përkthehej në masë të madhe delegatësh. Më me rëndësi se fituesi, aty është e rëndësishme përqindja e fituar nga secili kandidat.

Efekti. Në letër marrëveshja Kruz-Kasiç duket e shkëlqyeshme,  por mbetet dilema nëse ajo do të funksionojë në praktikë. Testi i parë dhe vendimtar do të jetë Indiana. Në letër, me ndihmën e Kasiçit Kruz mund të fitojë Indianën pa ndonjë problem. Por shtrohet pyetja nëse idhtarët e Kasiçit në Indiana do të mund të përpijnë averzionin ndaj Kruzit dhe të pranojnë marrëveshjen e kandidatit të tyre. Dy shtetet tjera, Oregon dhe Nju Meksiko, janë më pak të rëndësishme. Ato votojnë më vonë dhe deri atëherë rezultati i Indianës do të bëjë të qartë nëse aleanca funksionon apo jo.

Mu për këtë shteti i vogël rural i Indianës do të jetë epiqendra e politikës amerikane javën e ardhshme. Aty do duhet të bëhet e qartë nëse partia republikane do të kapitullojë para Trampit, apo nëse do të vazhdojë betejën në shtetet tjera, deri në konventën e korrikut në Klivlend.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button