Bejta: Me Ali Ahmetin femra shqiptare e mori vendin e merituar në shoqëri

Forumi i Gruas së Bashkimit Demokratik për Integrim, dega në Gostivar, të enjten në mbrëmje mbajti Kuvendin e dytë zgjedhor. Me aklamacion, për kryetare të degës u zgjodh profesoresha e gjuhës shqipe, zonj. Gentiana Bekteshi.

Në fjalimin e saj, Bekteshi falënderoi kuvendaret për besimin e dhënë duke premtuar se bashkë me kryesinë e re do të ndjekin rrugën e plasuar paraardhëset e tyre në Forumin e Gruas në Gostivar.

Bekteshi: Mirënjohje për femrat që u radhitën në familjen e madhe të BDI-së 

Kryetarja e porsazgjedhur, zonj. Gentiana Bekteshi fjalimin e filloi me një falënderim për kryetaren e parë të Forumit të Gruas në Gostivar, zonj Anife Rexhepi – Sejfullai dhe anëtarët e tjera të kryesisë.

“Mirënjohje dhe respekt për mbështetjen e pakufishme, për durimin dhe përkushtimin, për kontributin e tyre të palodhshëm për promovimin dhe ruajtjen e vlerave të grave shqiptare nga qyteti  i Gostivarit.   Mirënjohje dhe respekt për gratë dhe vajzat e BDI-së, të dala nga ky Forum, deputetet zonj. Selvie Saliu, Mirsade Ibrahimi, Dëshira Imeri dhe ministren e parë grua nga qyteti i Gostivarit, zonj. Shiret Elezi. Mirënjohje për këshilltaret në Kuvendin Komunal që u radhitën në këtë familje të madhe e cila në themelet e saj ka lirinë, demokracinë dhe vlerat universale njerëzore”, tha kryetarja Bekteshi e cila premtoi ndjekjen e rrugës së plasuar nga femrat e lartpërmendurа në avancimin e gruas dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Ahmeti: Sonte në Gostivar u mbajt kongres dhe jo kuvend

I pranishëm lideri në kuvend ishte edhe i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, i cili në fjalimin e tij para kuvendareve dhe anëtarëve të Forumit të Gruas në degën e Gostivarit, fillimisht shprehu mirënjohje për aktivisten e hershme Anife Rexhepi – Sejfullai e cila, siç tha kryetari Ahmeti, në fillim grumbullonte nga pesë, nga dhjetë anëtare, kurse sonte në Gostivar nuk mbahet kuvend në nivel lokal por një kongres madhështor.

“Nëna shqiptare në momente të rëndësishme ka qenë krahë për krahë me burrat, me bijtë dhe bijat e tyre. Më ka rastisur të bëj gati 15 vite një jetë shumë të vështirë ilegale, strehë ka qenë nëna shqiptare. Nënat shqiptare na shërbenin, nënat na ndihmonin për lëvizjen e literaturës, armëve. Nënat ishin ata që i bënin këto rreziqe dhe hynin në rreziqe më të mëdha se baballarët. Më kujtohet si sot se si një nënë me pushkë ndër jastëk nuk flinte dhe bënte roje për ne. Se si në Obiliq të Kosovës Fatimja, motra e shokut tim Kushtrimit rinte me pushkë në dorë për të na mbrojtur neve dhe të punojmë të qetë me Afrim Zhitinë, Fadil Vatën e shumë shokë të tjerë. Shpirt më i çiltër dhe shpirt që do lirinë dhe barazinë se shpirti i nënës nuk ka”, tha lideri Ahmeti.

Bejta: Me Ali Ahmetin femra shqiptare e mori vendin e merituar në shoqëri

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kryetari i degës së Gostivarit, z. Nevzat Bejta në Kuvendin e dytë Zgjedhor të Forumit të Gruas së Bashkimit Demokratik për Integrim, dega në Gostivar, theksoi se avancimi i gruas shqiptare në Maqedoni është meritë e liderit të BDI-së, z. Ali Ahmeti.

“Me ardhjen e tij në krye të Bashkimit Demokratik për Integrim femra shqiptare, nëna shqiptare mori vendin e merituar në shoqërinë shqiptare, edhe u tregoj edhe të tjerëve se ne shqiptarët, femrat shqiptare janë të përgatitur për të udhëhequr organet qeveritare të shtetit. Me ardhjen në skenën politike të Ali Ahmetit, u ndryshua edhe përbërja e administratës, femrat dhe nënat shqiptare janë të përfshira në Institucionet e shtetit, janë në arsim, në polici. Janë në institucionet qendrore dhe lokale. Me ardhjen e liderit tonë ne kemi deputete nga radhët e Forumit të Gruas, për herë të parë në qeverisjen qendrore kishim zëvendëskryeministren e parë shqiptare, zonjën Teuta Arifi, dhe unë e falënderoj kryetarin për këto ndryshime pozitive për femrat shqiptare në Maqedoni. Po ashtu e falënderoj në emrin tuaj që për herë të parë nga Gostivari zgjodhi që ministre të jetë një femër, zonjën Shiret Elezi”, veçoi Bejta.

Kryetarja e FG-BDI Naile Elezi: BDI është forcë e fuqishme politike në vend

Fjalë rasti në Kuvendin e Gostivarit mbajti edhe kryetarja e Forumit të Gruas së Bashkimit Demokratik për Integrim (FG-BDI), zonj, Naile Elezi e cila kujtoi se në qytetin e Gostivarit është mbajtur kuvendi i parë i Forumit të Gruas së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

“Kam nderin të ju informoj se tani jemi në fazën përfundimtare të mbajtjes së kuvendeve zgjedhore të gruas në nivel të degëve. Jemi në fazën përgatitore të kuvendit në nivel qendror. Mbajtja e zgjedhjeve të brendshme të Forumit të Gruas në kohën kur shteti ndodhet në një gjende të rëndë të krizës politike, është edhe një tregues i cili dëshmon se Bashkimi Demokratik për Integrim është forcë e fuqishme politike në vend dhe njëkohësisht dëshmon se Forumi i Gruas pranë Bashkimit Demokratik për Integrim në gjitha periudhat e organizimit dhe funksionimit ka qenë dhe do të mbetet një nga shtyllat kryesore të funksionimit të partisë”, tha mes të tjerash zonja Elezi.

Ministrja Elezi: Roli i gruas shqiptare është shquar nga periudha Ilire

Kuvendin e dytë zgjedhor të Forumi të Gruas së Bashkimit Demokratik për Integrim, dega Gostivar, e përshëndeti edhe ministrja e Pushtetit Lokal, zonj. Shiret Elezi e cila vuri në dukje që roli i gruas shqiptare është shquar në nga periudha Ilire.

“Në rrugët  e stërzgjatur të historisë së kombit shqiptar meritat e gruas shqiptare zënë në meritë të veçantë. Historia jonë është përplot data dhe ngjarje, në të cilat krahas burrave morën pjesë edhe gratë shqiptare. Duke u nisur që nga Ilirët, gruaja nderohej dhe vlerësohej si e shenjtë nga të gjithë, dhe kishte të drejtën të merrte pjesë në kuvende burrash, ku i jepej edhe fjala gjë që u ka lënë përshtypje edhe të huajve. Ato me tërë fuqinë e vete, kur bëhej fjalë për atdheun, nuk i përfillnin zakonet dhe kanunet por dilnin në male përkrah vllaut, burrit apo djalit dhe luftonin për lirinë e vendit”, tha mes të tjerash ministrja Elezi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button