Karvani i OEMVP-së vazhdon, sot pranë bizneseve të Gostivarit

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vazhdon Karvanin e saj, dhe sot vizitoi komunën e Gostivarit, ku ishin prezent mbi 30 kompani të këtij rajoni. Oda çdo vjet organizon dhe do të vazhdojë me takime të tilla me kompanitë për t’u njohur me problemet e tyre dhe për të diskutuar bashkë mundësitë për zgjedhjen e të njëjtave, siç janë problemet me infrastrukturën rrugore në vendet rurale, problemet me deponitë e egra dhe me shërbimet që kanë të bëjnë me furnizimin me rrymë elektrike të objekteve afariste, probleme këto që shqetësonin bizneset e rajonit të Gostivarit.

Nga ana e Drejtorit Ekzekutiv Fatmir Bytyqi u prezantuan informacione shumë të rëndësishme lidhur me punën, funksionin dhe rolin e Odës në zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e interesave të bizneseve në Republikën e Maqedonisë dhe më gjerë. Të pranishmit u njohtuan edhe me shërbimet e reja që ofron Oda nga ky vit, duke përfshirë këtu informatorët ligjor dhe ekonomik.

Gjithashtu, edhe kryetarja e Grupacionit të Grave Afariste pranë OEMVP-së, Gëzime Fejzi para bizneseve të Gostivarit prezantoi problemet e ndryshme me të cilat përballen gratë sipërmarrëse, duke propozuar mundësi dhe forma të ndryshme të përkrahjes së sipërmarrësisë së gruas.

Takimi i radhës do të mbahet më 04 Maj 2016 (E mërkurë) në Hotel Mirazh në Strugë me fillim në ora 12:00 dhe janë të ftuara të gjithë përfaqësuesit e bizneseve të këtij rajoni të marrin pjesë në këtë takim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button