Gratë parlamentare nga Maqedonia pjesëmarëse në konferencën rajonale të Tiranës

Gratë parlamentare të rajonit janë mbledhur sot në sallën e seancave plenare në Tiranë për të diskutuar rreth sfidave që lidhen me çështje të barazisë gjinore, fuqizimin e tyre në shoqëri dhe rritjen e përfaqësimit në politikë.

Në këtë konferencë marrin pjesë edhe deputetet Ermira Mehmeti, Kaltrina Azizi së bashku me Amella Ismailin Cana kryetare e degës së forumit të gruas të BDI­së në Çair dhe Kaltrina Zekolli zëdhënëse e komunës së Cairit.

Siç informon ATSH, konferenca u përshëndet nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili shprehu mbështetjen e parlamentit shqiptar në rritjen e fuqizimit të gruas në Shqipëri, jo vetëm në vendimarrje, por në gjithë jetën shoqërore, përmes nxitjes së iniciativave në përmirësimin e legjislacionit në këtë drejtim.

Meta duke u ndalur tek barazia gjinore, tha se ajo përbën një sfidë jo vetëm për rajonin tonë, por dhe për vendet më të zhvilluara.

“Çështja e barazisë gjinore është mjaft komplekse sot, pasi flasim për përfaqësimin politik, por dhe eleminimin e hendekut gjinor, që kërkon një adresim më të gjerë që lidhen me adresimin e tregut të punës, sistemin e pagave dhe mjaft faktorë të tjerë socialë. Të gjitha këto mund të adresohen duke rritur përfaqësimin e grave në vendimmarrje”, theksoi Meta.

Ai nënvizoi se sikurse në botë është rritur ndjeshëm numri i grave parlamentare, edhe në parlamentin shqiptar sot kontribuojnë 32 gra deputete, tre prej të cilave drejtojnë komisionet parlamentare. Meta përshëndeti angazhimin serioz të tyre sidomos në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve. Një ngjarje pozitive të kësaj legjislature, kryeparlamentari vlerësoi krijimin e Aleancës së Grave Deputete, e cila tha ai “nuk është se u pa pa shqetësim nga burrat, por mbi të gjithë ajo ka arritur disa suksese të rëndësishme, ku më i dukshmi është ndryshimi në kodin elektoral që lidhej me zgjedhjet e fundit vendore, ku u vendos që 50 për qind e listave të këshilltarëve bashkiakë të jenë gra”.

Ai vlerësoi angazhimin e spikatur të grave deputete, jo vetëm në përfaqësimin e tyre politik, por dhe në përcjelljen në parlament të mjaft çështjeve të rëndësishme sociale që shpesh, sipas tij, eklipsohen për shkak të retorikës politike për çështje shterpë. Ambasadori i OSBE­-së në Tiranë, Florian Raunig në fjalën e tij tha se Shqipëria në çështjet e barazisë gjinore është ende larg asaj që kërkohet.

Bashkimi Europian, tha ai, prej kohësh e ka inkurajuar forcimin e grave dhe pjesëmarrjen e tyre në politikë. Aleanca e Grave Deputete është e angazhuar që të inkurajojë gratë për të rritur përfaqësimin në nivel politik, por dhe në jetën publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button