Tiranë, mbahet konferenca rajonale e grave parlamentare

Në Kuvendin e Shqipërisë po zhvillohet sot “Konferenca Vjetore Rajonale e Grave Parlamentare”, ku mbajti një fjalë përshëndetëse edhe kryeparlamentari i Shqipërisë, Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca është drejtuar nga Arta Dade, kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Meta, është ndalur tek sfidat e barazisë gjinore sot në botë dhe tek roli i grave parlamentare. “Barazia gjinore është një sfidë jo vetëm për vendet e rajonit tonë, por edhe për shoqëritë më të zhvilluara. Asnjë vend në botë apo edhe në Europë nuk mund të pretendojë se ka arritur një barazi të plotë gjinore në përfaqësimin politik, por edhe në mbrojtjen e plotë dhe të barabartë pa diskriminim të të drejtave të grave në shoqëritë respektive. Çështja e barazisë gjinore është tepër komplekse. Ngjarja më pozitive gjatë kësaj legjislature që mund ta konsiderojmë edhe historike është krijimi i Aleancës së Grave Deputete”- u shpreh Meta.

Sipas tij numri i grave parlamentare në botë në vitet e fundit është rritur ndjeshëm, ku ai ka shtuar se në këtë drejtim edhe në Shqipëri janë bërë hapa përpara. Kujtojmë se nga 140 parlamentarë që ka Kuvendi i Shqipërisë, 32 janë gra deputete.

Të pranishmëve në sallën e seancave plenare ku u mbajt kjo konferencë iu drejtua me një fjalim edhe ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig dhe koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Brian Williams.

Në këtë konferencë marrin pjesë deputetet nga Parlamentet e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kroacisë, Turqisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Të pranishëm ishin gjithashtu edhe deputetë, drejtues të pushtetit vendor në Shqipëri, përfaqësues të shoqërisë civile dhe trupit diplomatik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button