Arbana Osmani hesht për shtatzëninë

Pas hapjes së lajmit në rrjetet sociale se moderatorja e njohur e “Top Channel”, Arbana Osmani, mund të jetë shtatzënë, natyrisht që fansat kanë vazhduar me pyetjet për të marrë pohimin e vetë asaj.

Arbana ndodhet këto ditë në Paris dhe, e pyetur nga gazeta “Panorama” në lidhje me vërtetësinë e këtij lajmi, ka vendosur të mos japë asnjë deklaratë, duke e konsideruar tërësisht një çështje private.

Shkak i shpërndarjes së këtij lajmi u bë një foto e Arbanës e postuar në Instagram, nga mikesha e saj, balerina Ola Hasani, e cila i ka vendosur edhe dorën në bark. Ola, e cila në këtë foto është bashkë me bashkëshortin e saj Esdalin Gorani, i është përgjigjur me një buzëqeshje pyetjes së miqve të tyre nëse Arbana është shtatzanë.

Kjo mënyrë përgjigje e Olës është marrë në një farë mënyre si konfirmim dhe është shpërndarë menjëherë si një lajm, që pritet të pranohet nga vetë Arbana. Moderatorja e njohur sapo ka provuar suksesin e parë si autore e një libri gatimi me titull “Receta për njerëzit që dua”, ndërkohë që bashkë me Xhemi Shehun dhe Ledion Liçon prezanton “E diell”.

Sipas burimeve zyrtare të “Top Channel”, deri tani është thënë se Arbana do të jetë moderatorja e “Big Brother 7”, që pritet të nisë në shkurt të 2014-s.

Nuk dihet nëse vërtetësia e shtatzënisë do ndryshojë planet televizive të moderatores për vitin që vjen, por drejtuesit e “Top Channel” vazhdojnë të pohojnë se do të jetë Arbana moderatorja e “Big Brother 7”, që fillon transmetimin në shkurt të vitit që vjen, që do të thotë se Arbana mund të jetë një prej atyre moderatoreve që do të prezantojë me linjat e rrumbullkosura si shumë kolege të saj. Por deri tani gjithçka është supozim. 

Lajme të ngjashme

Back to top button