Deputeti Ilir Deda largohet nga Lëvizja Vetëvendosje

Deputeti Ilir Deda ka njoftuar sot se pas dy viteve të bashkëpunimit ai largohet nga lëvizja Vetëvendosje, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për mediat në selinë e kësaj partie, ai tha se vendimi ka të bëjë me dallime konceptuale të cilat janë shfaqur në nëntë muajt e fundit.

Deputeti Deda nuk ka qenë përkrahës dhe pjesëmarrës i hedhjes së gazit lotsjellës në seancat parlamentare me të cilat opozita bllokonte punën e Kuvendit në shenjë pakënaqësie për marrëveshjen për asociacionin për komunat me shumicë serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Në konferencën për mediat në të cilën ai u shfaq bashkë me sekretarin Organizativ të VV-së, Dardan Molliqaj, Deda tha se përkundër braktisjes, Lëvizjen Vetëvendosje e sheh si një katalizator të ndryshimeve.

Molliqaj ka shprehur falënderimet për bashkëpunimin e deritanishëm, ndërkohë që Deda njoftoi se nga muaji i ardhshëm do të fillojë aktivitetin në një subjekt të ri politik.

Përkundër faktit se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 Deda ishte i 100-ti në listën e VV-së, ai ishte ndër më të votuarit me 15 mijë vota. Para postit të deputetit, Deda ushtronte detyrën e këshilltarit politik të ish-presidentes Jahjaga.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button