Drejtorët: Komuna e Dibrës nuk ndan mjete të mjaftueshme për shkollat fillore

Drejtorët e shkollave fillore në Dibër reaguan të premten gjatë seancës së Këshillit Komunal për miratimin e buxhetit të komunës për vitin 2014, në lidhje me mjetet e ulta të cilat Komuna i destinon për shkollat fillore.

Ata kërkuan shumë më të madhe parash se sa 97.321.000 denarë të miratuara për vitin e ardhshëm. Sipas tyre, paratë e planifikuara nga buxheti janë tejet të ulëta, ndaj dhe nuk mund të ndërmarrin asnjë aktivitet sa i takon mirëmbajtjes së objekteve.

Këshilltarët komunal patën reagime të shumta rreth mjeteve të ndara për shkollat në përgjithësi, meqë mjetet e parapara prej gjithsej 144.719.000 denarëve janë vetëm 5,5  përqind për mirëmbajtjen e shkollave dhe ngrohje ndërsa të tjerat për paga mujore. 

Për sektorin e arsimit, në tre shkollat fillore dhe shkollën e mesme, janë të planifikuara mjete në vlerë prej 144.719.000 denarë , prej tyre: 97.321.000 denarë për shkollat fillore, 39.257.000 denarë për gjimnazin e vendit dhe 8.121.000 denarë për Entin e Kombinuar për fëmijë “Breshia”.

Buxheti i Komunës së Dibrës për vitin e ardhshëm do të jetë për 2% më i madh se ai i vitit 2013. Buxheti i cili u votua në seancën e Këshillit Komunal të premten do të jetë mbi 257 milion denarë.

Nga buxheti i miratuar i Komunës për vitin 2014 përqindja më e madhe të ardhurave janë donacione në vlerë prej 146. 961 denarë si dhe të ardhurat tatimore në vlerë prej 47 milion denarë.

Këshilltarët komunal miratuan edhe programin për mirëmbajtje të rrugëve lokale dhe lagjeve gjatë periudhës së dimrit, si dhe  propozim vendime për miratim të dokumentacionit për planin urbanistik të kadastrave të disa komunave.

Lajme të ngjashme

Back to top button