Franca në hall me natalitetin e madh

Politikat bujare familjare kanë ndikuar në rritjen e shkallës së lindjeve në Francë, por vendit po i bëhet gjithnjë e më i vështirë financimi i infrastrukturës arsimore për të rinjtë.

Me pothuajse 30 për qind më shumë fëmijë sesa pesë vjet më parë, shkolla fillore me dy klasa në fshatin e vogël verior francez të Businjesë po pëlcet nga ngushtësia: Parashkollorët i ngjiten njëri-tjetrit në një dhomë të vogël gjumi, ndërsa mësimdhënësit e tyre me mezi arrijnë të kalojnë nëpër bufenë e vogël gjatë drekës. Por, fshati nuk ka se si t’i sigurojë 1 milion euro për një shkollë të re, ndërsa shkurtimet buxhetore e kanë reduktuar përkrahjen shtetërore për planin.

Prapa rritjes së kostos së arsimit në Businje dhe vështirësive të tij për ta financuar atë gjenden dy trendë të kundërt: Rritja e lirë e natalitetit në Francë dhe tkurrja e vazhduar e buxhetit të saj.

“Ky është projekt i madh për vendin tonë të vogël”, ka thënë Michel Dewitte, kryetar i fshatit, i cili ka premtuar shkollë të re që më 2008. “Por, numri i fëmijëve po rritet dhe na duhet zgjidhje”.

Teksa çdo femër lind mesatarisht 2.01 fëmijë në Francë, vendi ka shkallën më të lartë të lindjeve në Bashkimin Evropian pas Irlandës, dhe në vitet e fundit është duke bërë bebe me ritme që nuk janë parë në vend që nga vitet ’70. Nataliteti i madh përbën burim të krenarisë për politikën nacionale: Përderisa popullata e përgjithshme e Evropës pritet të bie në dekadat e ardhshme, ajo e Francës parashihet të rritet, duke krijuar një grup më të qëndrueshëm të të rriturve të punësuar që mund të kujdesen për të rinjtë dhe për të moshuarit, ka shkruar “The Wall Street Journal”.

Franca e ka arritur “baby boom”-in e saj modest me disa prej ndihmave më të mëdha në Evropë për familjet. Shpenzimet për politikën familjare në Francë – përfshirë ndihmat, lirimet nga taksat për prindërit, si dhe ndihmën shtetërore për banim – përbëjnë rreth 4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, që është shkalla më e lartë ndër 34 vendet e industrializuara të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZHE) dhe gati dyfishi i mesatares prej 2.2 për qind.

Por, vështirësitë financiare të Businjesë kanë vënë në pah anën e kundërt të “baby boom”-it të vendit. Më shumë bebe, fëmijë dhe studentë kanë nevojë për çerdhe, shkolla dhe universitete – një infrastrukturë që qeverisë franceze po i bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u financuar me një buxhet të reduktuar për të ulur deficitin e madh. Shumë të rritur të rinj mbeten nën asistencë të drejtpërdrejtë shtetërore, sepse vendi nuk është duke krijuar vende të mjaftueshme të punës.

Rritja e popullsisë së Francës përbën një test të madh për presidentin socialist francez, François Hollande, i cili duhet të koordinojë objektivin e tij për riparimin e financave publike me zotimin kryesor zgjedhor se nuk do t’i braktisë gjeneratat e reja. Mbetet e paqartë nëse Franca mund të vazhdojë të shpenzojë shumë për një sistem të mirëqenies sociale – i cili, sipas analistëve, ka kontribuar për shkallën e madhe të lindjeve në vend – teksa ajo e ka në shpinë një borxh të madh.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button