Vazhdojnë protestat qytetare kundër Ivanovit

Sot është dita e 8 që po protestohet kundër vendimit të presidentit Gjorge Ivanov, i cili më 12 prill, solli vendim për faljen masive të politikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, protestuesit kanë paralajmëruar se nuk e kanë ndërmend të heqin dorë pa u plotësuar kërkesat e tyre, transmeton Portalb.

“Bashkëluftëtarë dhe bashkëluftëtare, me protesta do të vazhdojmë sot me fillim prej orës 18:00”, thuhet në thirrjen publike në rrjetin social “Facebook”.

Krahas dorëheqjes së Ivanovit, aktivistët e “#Protestoj” kërkojnë tërheqjen e vendimit për falje të politikanëve, formimin e qeverisë për zbatimin e rekomandimeve nga raporti i Pribes si dhe organizimi i zgjedhjeve korrekte dhe demokratike.

Protestuesit, fillimisht mblidhen përpara objektit të Prokurorisë Speciale për t’i dhënë mbështetje këtij institucione, pastaj vazhdojnë për te Kuvendi i Maqedonisë që ta shprehin revoltën e tyre.

Protestat, kanë agjendën e tyre, brenda së cilës trupi koordinues i Lëvizjes civile “Protestoj”, organizon aksione të ndryshme guerile, nga më të ndryshmet nëpër objekte dhe institucione shtetërore në vend, siç ishin, hedhja e detergjenteve në fontanën e sheshit “Maqedonia”. Në po të njëjtin vend, dje është hedhur ngjyrë e kuqe, e cila, sipas protestuesve, simbolizon gjakun e viktimave të regjimit. Ndër aksionet tjera guerile mund të theksohen edhe aksioni me ngjyrosjen e objekteve të ndryshme, ku deri më tani, cak i protestuesve ka qenë objekti i Zyrës Popullore të presidentit Ivanov, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Protesta janë zgjeruar në të gjitha pjesët e Maqedonisë, atyre u janë bashkëngjitur edhe dy partitë shqiptare, “Uniteti” dhe “Lëvizja Besa”.

Pas Shkupit, Manastirit, Velesit, Strumicës, Kumanovës dhe Shtipit, protesta janë paralajmëruar edhe Ohër, Prilep, Koçani dhe Gostivar. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button